"Atij ja thej këmbët", "Më kërcënoi me vrasje" - Sekretari i LDK-së në Vushtrri flet për Insajderin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    “Atij ja thej këmbët”, “Më kërcënoi me vrasje” – Sekretari i LDK-së në Vushtrri flet për Insajderin

    Insajderi
    05 March 2025 - 15:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka marrë vendim për rinumërimin e votave të LDK-së në komunën e Vushtrrisë, pas akuzave të forta nga ana e kandidates për deputete, Rrezarta Krasniqi. Ajo ka pohuar se janë keqpërdorur votat në disa qendra, duke akuzuar bashkëpartiakun e saj, Xhafer Tahiri për përfshirje në këtë situatë. Megjithatë, ky rast ka marrë një përmasë më të gjerë, duke përfshirë edhe familjarë të kandidates për deputete.

    Vëllai i Rrezarta Krasniqit, Valmir Krasniqi, është akuzuar për kërcënim me jetë ndaj sekretarit të LDK-së në Vushtrri, Betim Grabanica.

    Këtë për Insajderin e tha Xhafer Tahiri, duke shtuar se i vjen keq që Krasniqi ka rënë pre e asambleistës së Vetëvendosjes.

    Pas kësaj, Gazeta Insajderi ka kontaktuar vet Grabanicën, ai konfirmoi se kishte marrë një telefonatë kërcënuese nga Valmir Krasniqi, i cili sipas tij gjithashtu kishte bërë presion ndaj komisionerëve të tjerë të LDK-së.

    Grabanica tha se gjatë një bisedë telefonike prej 6 minutash, Valmir Krasniqi e kishte kërcënuar edhe me vrasje.

    “Ky kërcënim ka ndodhur një ditë para se të fillonte procesi i numërimit. Unë, në konsultim me Prokurorin e Shtetit, e kam lajmëruar rastin në stacionin e policisë në Vushtrri”, tha ai.

    Gjithashtu, Grabanica shprehu shqetësimin se përveç kërcënimeve, vëllai i Rrezarta Krasniqit, Valmiri, ka bërë presion ndaj vëzhguesve të LDK-së, duke u dërguar porosi të forta. “Më vjen keq që Rrezarta dhe njerëzit e saj po tentojnë të sulmojnë shtëpinë tonë politike, LDK-në. Unë kërkoj me ngulm rinumërim që e vërteta të dalë në shesh”, shtoi ai.

    Madje, Insajderi ka siguruar një mesazh që një nga komisionerët e LDK-së ia ka dërguar Valmir Krasniqit, pas presioneve që ky i fundit pretendohet se ka bërë përmes një telefonate.

    “Po të shkruaj lidhur me telefonatën që më bëre më herët. Shpresoj që më telefonove për respekt dhe ndoshta për të kërkuar që të ruaj votën e Rrezës, gjë që unë e bëj jo vetëm për të, por për çdo kandidat, sepse është parimi im dhe jo imponim nga askush”, shkruan ai.

    Ai gjithashtu ia përmend kërcënimin ndaj Grabanicës, duke theksuar se shpreson që Valmiri nuk e ka thënë atë fjalë me qëllim frikësimi.

    “Vetëm shpresoj që të kam keqkuptuar ose nuk e kam kuptuar drejt pse the: ‘Atij ia thej këmbët, jam me komandantin e stacionit policor.’ Shpresoj që nuk i përmende këto për qëllime frikësimi, sepse për parimet e mia nuk njoh frikë nga askush.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje edhe nga Rrezarta Krasniqi dhe vëllai i saj, Valmir Krasniqi, por ata nuk kanë qenë të qasshëm për të dhënë një përgjigje në lidhje me këto akuza.

    Lexo edhe:


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark