Në të paktën gjashtë kontrata që ka hetuar Zyra e Kombëtare e Auditorit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit, del se një shumë prej 3.3 milionë euro është tejkaluar shumë e planifikuar për shkak se kontratat kanë qenë jo adekuate, me vlera të paqarta dhe tejkalim të pagesave. ZKA, alarmon se nënshkrimi i kontratave të paqarta sa i përket çmimit dhe sasive, e vështirësojnë menaxhimin e tyre dhe mund të shpien në tejkalimin e tyre përtej planifikimit.
Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur një mori shkeljesh në Ministrinë e Infrastrukturës e Ambientit që drejtohet nga Ministri Liburn Aliu.
Në raportin e publikuar sot, sipas Auditorit është gjetur se në këtë ministri ka pasur kontrata jo adekuate, vlera të paqarta dhe tejkalim i pagesave për kontratat publike dhe ato kornizë.
E këto janë gjetur kryesisht në tendere të mëdha sipas ZKA-së.
Në rastet e hetuara nga auditori për 6 kontrata (6 llote), ka vënë në dukje se vlera e realizuar për këto kontrata ishte më e lartë se vlera e parashikuar për 3 milionë e 327 mijë euro, shkruan Gazeta Insajderi.
Sipas tyre, për projektin “Mirëmbajta Verore dhe Dimërore e Rrugëve Nacionale dhe Regjionale të Kosovës”, të iniciuar në vitet paraprake ishte aplikuar dosja e tenderit për kontratën publike kornizë.
Vlera e parashikuar për tri vite për 14 llote në dosje të tenderit por edhe në deklaratë të nevojave ishte 17,231,050€.
Edhe pse ishte përcaktuar sasia indikative nga njësia kërkuese, kontratat ishin nënshkruar për çmim njësi pa përcaktuar peshën në bazë të rëndësisë së secilës kategori të shërbimeve ose secilit artikull.
“Testimi i mostrave tona për 6 kontrata (6 llote), ka vënë në dukje se vlera e realizuar për këto kontrata ishte më e lartë se vlera e parashikuar për 3,327,204€”, thuhet në gjetjen e ZKA-së.
Përveç këtyre projekteve dukuri e njëjtë e lidhjes së kontratës ishte hasur edhe tek tri pagesa të testuara për projektin “Mirëmbajtja e Urave për rrugët nacionale dhe regjionale të Kosovës” si dhe të dy pagesave tek projekti “Sinjalizimi dhe Mirëmbajtja e pajisjeve në rrugët Nacionale dhe Rajonale te Republikës se Kosovës”.
Zyra e Auditimit alarmon se nënshkrimi i kontratave të paqarta sa i përket çmimit dhe sasive, e vështirësojnë menaxhimin e tyre dhe mund të shpien në tejkalimin e tyre përtej planifikimit.
Ky insitucion i rekomandon ministrisë të sigurojë se janë vendosur kontrollet e duhura për të siguruar që përmes menaxherëve të kontratave do të bëhet mbikëqyrja e duhur e realizimit të kontratave në mënyrë që të mos bëhet tejkalimi i tyre.
“Gjithashtu, ministri duhet të siguroj përmes zyrës së prokurimit se aplikohen lloji i procedurës për kontratë kornizë duke potencuar devijimin +/-30% në vlerën indikativë të kontratës (në rastet kur mund të definohet sasia indikative), dhe vetëm në rastet kur sasia indikative nuk mund të definohet, atëherë të aplikohen kontrata me çmim njësi në formën që e parasheh ligji”, thuhet në rekomandimin e auditorit. /Gazeta Insajderi