Qeveria austriake pritet të marrë nën kontrollin e saj shtëpinë ku u lind Adolf Hitler në vitin 1889, në mënyrë që të parandalojë faktin që ajo të bëhet vend pelegrinazhi nga neonazistët. Pronarja aktuale, një grua e moshuar e dalë në pension, ka refuzuar ofertat e përsëritura disa herë për blerjen e shtëpisë në Brunau am Inn, në të kaluarën.
Megjithatë, ka ende mosmarrëveshje se çfarë do të bëhet me atë shtëpi në të ardhmen. Ministri i Brendshëm dëshiron shkatërrimin e saj, ndërsa të tjerë thonë se ngritja e një muzeumi apo qoftë edhe e ndonjë supermarketi do të ishte një mënyrë më efektive e “depolitizimit” të saj.
“Vendimi është i domosdoshëm, sepse republika jonë dëshiron të parandalojë faktin që kjo shtëpi të bëhet vend kulti për neonazistët në çfarëdolloj mënyre. Gjë që ka ndodhur disa herë në të kaluarën, kur njerëzit janë mbledhur përreth saj dhe kanë hedhur slogane nga më të ndryshmet”, tha ministri i Brendshëm, Ëolfgang Sobotka. “Mendimi im është që ta shembim këtë shtëpi”, shtoi ai.
Gjithsesi, zv.kancelari Reinhold Mitterlehner tha se një projekt me “vlera edukative”, siç mund të jetë një muzeum, do të ishte një zgjidhje për përdorimin më të mirë të asaj shtëpia, të paktën nga sa raporton gazeta “Die Presse”.
Një numër gjithnjë e në rritje njerëzish vizitojnë atë shtëpi, sipas të dhënave të Qendrës së Dokumentimit të Rezistencës Austriake (DCAR).
Por, kreu i organizatës, Gerhard Baumgartner tha se prishja e asaj ndërtese nuk do ta zgjidhte problemin, pasi ekstremistët e krahut të djathtë do të “krijonin” në vend të saj “Sheshin e Hitlerit” apo “Parkun e Hitlerit”, në mënyrë që të kenë diçka për të vizituar në të ardhmen, shkruant tch.
“Ajo ndërtesë duhet të depolitizohet totalisht dhe atje duhet të ngrihet diçka që askush nuk do të dëshironte të fotografohej”, tha ai për rrjetin televiziv “ORF”. Duke vendosur atje një supermarket apo një stacion zjarrfikëseje do të jepte efektet e dëshiruara, thotë Baumgartner.
Shteti austriak e ka marrë me qira atë shtëpi që prej vitit 1972 dhe aktualisht paguan rreth 4.800 euro në muaj për atë. Në atë ndërtesë, në të kaluarën janë strehuar edhe punonjës për njerëzit me aftësi të kufizuara, por që prej vitit 2011 ka mbetur bosh, sepse pronarja i ka refuzuar vazhdimisht idetë për përdorimin e saj në të ardhmen, sikurse edhe ofertat për blerje nga shteti austriak.