
Të paktën 21 pasagjerë të një autobusi që transportonte pelegrinë budistë u vranë dhe 24 të tjerë u plagosën të dielën në mëngjes në Sri Lankën qendrore, kur automjeti u rrëzua në një përrua, tha zëvendësministri i transportit.
“Njëzet e një persona kanë vdekur, jemi në proces të identifikimit të tyre”, tha për shtypin Prasanna Gunasena, e cila nxitoi në vendngjarje. “Të plagosurit u dërguan në dy spitale”, shtoi ai.
Autobusi – i cili mbante 70 persona, ndërsa kishte një kapacitet maksimal prej 50 vendesh po udhëtonte natën në kodrat në rrethin Kotmale kur shoferi humbi kontrollin, tha policia.
A passenger bus skidded off a cliff in Sri Lanka’s tea-growing hill country on Sunday, killing 21 people and injuring 35 others. pic.twitter.com/NjipaJlFw7
— T_CAS videos (@tecas2000) May 11, 2025
“Autobusi po anonte majtas dhe kur shoferi mori një kthesë humbi kontrollin dhe autobusi ra” në një përrua, i tha një pasagjer i mbijetuar shtypit të Sri Lankës në kushte anonimiteti.
Një hetim është duke u zhvilluar për të përcaktuar rrethanat e aksidentit.
“Po përpiqemi të kuptojmë nëse automjeti ka pësuar ndonjë defekt mekanik apo nëse shoferi ka rënë në gjumë në timon”, tha një oficer policie për AFP-në në kushte anonimiteti.
Mjeti, që i përkiste një kompanie transporti publik, ishte nisur nga qyteti i Kataragama-s, në jug të Sri Lankës, drejt Kurunegala-s (veriperëndim), një distancë prej rreth 250 kilometrash.
Ky është aksidenti rrugor më vdekjeprurës në ishullin e Azisë Jugore në njëzet vjet: një përplasje treni dhe autobusi në vitin 2005 vrau 37 persona në pjesën veriperëndimore të vendit.