
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka ndërmarrë masa ndaj dy strehimoreve ilegale të qenve në komunën e Ferizajt, të cilat u mbyllën pas inspektimeve të fundit.
Sipas njoftimit të AUV-së, gjatë kontrollit është konstatuar se qentë, të cilët ishin marrë për adaptim nga komuna e Prishtinës, mbaheshin në kushte të papërshtatshme dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Po ashtu, përgjegjësit e strehimoreve nuk kishin siguruar kujdesin e duhur shëndetësor dhe mirëqenien e kafshëve, duke bërë që një numër i qenve të strehuar të ngordhin.
AUV ka marrë vendim për mbylljen e të dyja strehimoreve dhe kthimin e qenve në strehimoren e licencuar të komunës së Prishtinës.
Rasti do të procedohet më tej në gjykatë pas kompletimit të të gjitha materialeve. Ndërkohë, AUV thekson se do të ndërmarrë masa ligjore ndaj çdo veprimi jo human ndaj kafshëve dhe do të iniciojë procedura ndëshkimore ndaj personave përgjegjës.