Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, që vjen nga ‘Lista Guxo’ teksa ka kritikuar deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për mos-votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, kritikë iu ka bërë edhe për votimin e Gjykatës Speciale.
Avdyli, me anë të një postimi në ‘Facebook’ e ka quajtur “kokëfortësi” vendimin e grupit parlamentar të PDK-së për mos-votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Sipas tij, “kokëfortësia” do t’u falej nëse ata s’do ta votonin Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe Gjykatën Speciale.
“Po të ishin kaq të vendosur këta deputetët e PDK – së për të mos votuar Gjykatën speciale, e po aq të vendosur që mos ta miratonin marrëveshjen për Asociacionin Serb, ndoshta edhe ua kishim fal kokëfortësinë për mosvotimin e 350 milionëve nga marreveshjet ndërkombëtare”, deklaroi deputeti i VV-së.
“Në dy rastet votimet i kanë të dëmshme për qytetarët, por dëmin që i kanë bërë funksionalitetit të shtetit tonë me votimet e marrëveshjeve me Serbinë janë më të kushtueshme edhe se miliarda euro. Mos qofsha në lëkurën e tyre”, tha tutje ai.
Avdylit duket se i ka kaluar në harresë se dikur ish-shefja e partisë së tij, Vjosa Osmani, votoi për Gjykatën Speciale. Madje, Osmani pas votës për tregonte përfitimet e Kosovës për krijimin e gjykatës ndërkombëtare për krime lufte.
“Republika e Kosovës në përfundim të këtyre proceseve do të përfitonte në radhë të parë drejtësi për viktimat, pavarësisht kush kanë qenë ato dhe të cilit nacionalitet, do të përfitonte largimin e njollave që janë vendosur nga raporti i Dick Martyt dhe do të tregonte seriozitet në arenën ndërkombëtare, do të tregonte se jemi shtet, institucionet e së cilës kur marrin përsipër obligime ndërkombëtare ato edhe i implementojnë dhe se jo vetëm si institucione por edhe si popull në asnjë mënyrë nuk i frikësohemi drejtësisë”, thoshte ajo.
Osmani në fjalimin e saj në Kuvend më 2015-ën, përpara se të hidhej në votim krijimi i Speciales, argumentonte pro ndryshimeve kushtetuese dhe se si ish-ambasadori rus Vitali Churkin “priste në një këmbë” që të krijohej nga dikush tjetër. /Insajderi.org/