Avionët rusë në qiejt e NATO-s, çfarë paralajmëron Costa? - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Avionët rusë në qiejt e NATO-s, çfarë paralajmëron Costa?

    Insajderi
    19 September 2025 - 23:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Liderët e Bashkimit Evropian do të diskutojnë reagimin e tyre ndaj shkeljeve nga Rusia të hapësirës ajrore evropiane në takimin e ardhshëm që do të mbahet në Kopenhagë më 1 tetor, deklaroi Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa.

    “Shkelja e sotme e hapësirës ajrore të Estonisë nga tre avionë ushtarakë rusë është një provokim tjetër i papranueshëm. Kjo nënvizon edhe një herë nevojën urgjente për të forcuar krahun lindor, për të thelluar bashkëpunimin evropian në fushën e mbrojtjes dhe për të intensifikuar presionin ndaj Rusisë. Ne do të trajtojmë reagimin tonë të përbashkët ndaj veprimeve të Rusisë në takimin informal të Këshillit Evropian në Kopenhagë më 1 tetor”, tha Costa në një postim në X.

    Ndërsa shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e cilësoi shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga Rusia si “një provokim jashtëzakonisht të rrezikshëm”.

    Kallas, ish-kryeministre e Estonisë, tha se BE-ja qëndron plotësisht në solidaritet me Estoninë.

    “Jam në kontakt të ngushtë me qeverinë estoneze. Do të vazhdojmë të mbështesim shtetet anëtare në forcimin e mbrojtjes së tyre me burime evropiane. Putin po teston vendosmërinë e Perëndimit. Nuk duhet të tregojmë dobësi”, tha Kallas.

    Tre avionë rusë u kapën duke fluturuar në hapësirën ajrore të Estonisë këtë mëngjes. Ata qëndruan për 12 minuta para se të dëboheshin nga një mision italian i patrullimit ajror. Estonia është vendi i tretë anëtar i NATO-s që raporton një shkelje të hapësirës së saj ajrore nga Rusia në javët e fundit, pas Rumanisë dhe Polonisë që kanë raportuar incidente të ngjashme.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Botë
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark