Gjon Huli, avokati i dy të rinjve që ndodheshin në makinë me Aldi Ramën, kur ky i fundit qëlloi për vdekje nënkomisarin Saimir Hoxha, deklaroi se Armando Marku dhe Kristjan Sherri nuk ka kryer asnjë vepër penale, pasi i janë bindur policisë.
Në një prononcim për mediat, Huli u shpreh se dy të rinjtë ndihmuan policinë për të vënë në ambulancë të plagosurin, Hoxha, i cili ndërroi jetë më vonë.
“Këtyre dy të dyshuarve gjyqin ua keni bërë ju mediat. E vërteta qëndron se policia ka pjesën e vet për shkak të cilëve ka humbur edhe një oficer i nderuar. Momenti që ka ndodhur ngjarja policët kanë qenë pa kurrë farë shenje dalluese. Tani mediat, ju dhe gjykatat mundoheni të mbroni vendimet e paligjshme të policisë. Pretendimet e prokurorisë janë se dy të mbrojturit prej nesh kanë kryer veprën penale të moskallëzimit të krimit. Ngjarja ka ndodhur në prezencë me policinë, nuk kanë pasur lidhje me vrasësin. Këta po të kishin lidhje, do të kishin ikur me ata, por kanë ndihmuar policinë për të vënë në ambulancë personin e plagosur. Jemi para faktit që dy të mbrojturit prej nesh nuk kanë kryer asnjë vepër penale.”
Gjykata e Lezhës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Markun dhe Sherrin, të cilët akuzohen për veprat penale “moskallëzim krimi” dhe “përkrahje e autorit të krimit”.