Avokati, Ardian Bajraktari, ka theksuar se procesi gjyqësor në Hagë për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është shoqëruar me shkelje të shumta, duke e konsideruar atë të komprometuar dhe të dëmtuar nga manipulime të mundshme.
Ai ka theksuar se shumë nga argumentet dhe deklaratat që janë përdorur nga prokuroria janë të fabrikuara dhe mbështeten në dëshmitë e dyshimta të sjella nga Serbia.
“Me argumente, gradualisht po konfirmohen bindjet dhe supozimet në opinionin e gjerë vendor se prokuroria u shërbye me një mori deklaratash të fabrikuara në Serbi e të mbështetura nga Rusia për të cenuar luftën e drejtë të UÇK-së”, thuhet në postimin e tij.
Bajraktari theksoi se procesi është i mbushur me mangësi, përfshirë mungesën e transparencës, një stërzgjatje të paarsyeshme të gjykimit dhe shkelje të qarta në procedurat gjyqësore, përfshirë përdorimin e pyetjeve orientuese dhe sugjestive ndaj dëshmitarëve, të cilat janë të ndaluara sipas legjislacionit të përcaktuar.
“Procesi po përcillet me shumë shkelje dhe lirimi i krerëve të UÇK-së mbetet opcion real, mbase i vetëm.
Procesi ndaj ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u shoqërua me mangësi, pos me mungesë të transparencës, është proces i stërzgjatur, e vërtetë kjo e konfirmuar nga vet gjykata”.
Për Bajraktarin, një nga çështjet kyçe është vazhdimi i paraburgimit, i cili është i stërzgjatur dhe pa bazë ligjore pas përfundimit të dëshmive të Prokurorisë.
Ai theksoi se nuk ka asnjë arsye ligjore për të mbajtur të akuzuarit në paraburgim.
“Po ashtu është e qartë se edhe sa i përket paraburgimit, është i stërzgjatur dhe pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarëve të Prokurorisë, nuk ekziston as edhe një kusht i vetëm ligjor që të njëjtit të vazhdojnë së qëndruari në paraburgim. Prandaj, aktgjykimi lirues dhe ri konfirmimi i pastërtisë së luftës së popullit të Kosovës për liri, do të jetë alternativa e vetme dhe epilogu i këtij procesi të padrejtë”, u shpreh ai.