Avokati Gjini: Fitore Pacolli po më linçon publikisht – do të parashtroj padi dhe do të njoftoj Odën e Avokatëve - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Avokati Gjini: Fitore Pacolli po më linçon publikisht – do të parashtroj padi dhe do të njoftoj Odën e Avokatëve

    Insajderi
    26 July 2025 - 18:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Avokati Gent Gjini pretendon se është sulmuar publikisht nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, e cila – sipas tij – ka shpërndarë në profilin e saj në Facebook përmbajtje denigruese ndaj tij.

    Sipas Gjinit, Pacolli ka postuar një video shoqëruar me mbishkrimin “Avokati që mbron dhunuesin”, duke përfshirë edhe fotografi të tij personale, gjë që ai e konsideron si një akt linçimi publik.

    “Fitore Pacolli ka kaluar çdo kufi etik dhe profesional. Ajo ka marrë fotografi të mia, videon e Insajderit dhe ka shkruar publikisht se unë jam ‘avokati që mbron dhunuesin’. Kjo është cenim i drejtpërdrejtë i profesionit tim dhe tentim për të më paraqitur si fajtor në opinionin publik,” ka deklaruar Gjini.

    Avokati paralajmëron se do të ndërmarrë hapa ligjorë ndaj Pacollit.

    “Do të parashtroj padi civile për shpifje dhe do të njoftoj Odën e Avokatëve të Kosovës, që të dalë në mbrojtje të profesionit dhe të reagojë ndaj këtij precedent të rrezikshëm,” tha ai, duke shtuar se sulmet e tilla nuk janë vetëm personale, por përbëjnë goditje ndaj vetë institucionit të avokaturës.

    Ky është postimi i Fitore Pacollit pas videos së Gjinit të publikuar në Gazetën Insajderi:

    A e dëgjuat avokatin e dhunuesit? ⬇️

    Ky avokat, me vetëdije të plotë, i del në mbrojtje dhunuesit. Thotë se unë e paskam sulmuar, por harron faktin më elementar, ishte ai që erdhi te tavolina ime, jo e kundërta.

    Thotë se “i janë publikuar fotot e familjes”, por nuk i bën përshtypje fakti se bashkëshortja dhe vajza e tij ishin aty jo thjesht prezente, por pjesëmarrëse aktive në sulm. Kjo ishte një skemë e organizuar mirë. Ato të dyja e incizuan sulmin dhe e manipuluan videon.

    Avokati thotë se “kam thënë që ka armë”. Po, ende dyshoj që ka pasur armë duke u bazuar në mënyrën si erdhi, për mënyrën si u soll, si e çonte dorën te çanta dhe për agresivitetin e tij.

    Thotë se në momentin e arrestimit nuk iu gjet armë. Por harron që arrestimi ndodhi disa orë pas sulmit. Ai ka pasur kohë mjaftueshëm për t’ia dorëzuar armën bashkëpjesëmarrëseve në sulm.

    Le të mos harrojmë, gruaja e dhunuesit, znj. Pllashniku, punon në Institucionin e Avokatit të Popullit. Dhe, ironi e rëndë, në vendin e ngjarjes ishte i pranishëm edhe vetë Avokati i Popullit. Ai i pa me sytë e tij se si bashkëshortët Pllashniku orkestruan sulmin ndaj meje. A do të marr ndonjë masë Avokati ndaj punëtores së tij që bashkëorganizoi sulmin?

    A i vjen turp nga vetja këtij që i thotë vetes avokat e dhunuesin, një burrë, trupmadh, e agresiv dhe arrogant që e kanos një grua me qëllim për ta frikësuar ushtron dhunë fizike dhe psikologjike, e shndërron në viktimë.

    Sa publikisht ky avokat, mediat, “analistë” e pronarë mediash e nxisin dhe përkrahin dhunën ndaj grave.

    Shih më poshtë video deklarimin e avokatit që mbron dhunuesin.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark