Inicimin e PDK-së në Mitrovicë kundër kryetarit të komunës, Agim Bahtiri, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, Gjykata e Apelit e hodhi poshtë, duke pushuar procedurat penale ndaj tij dhe dy zyrtarëve tjerë.
Por Mahmut Halimi, avokat i kryetarit Bahtiri, ka thënë se denoncimi i PDK-së në Mitrovicë ka pasur për qëllim eliminimin politik të tij dhe marrjen më të lehtë të pushtetit.
“Motivi veç po dihet. Qëllimi për dëmtim dhe eliminim të Agim Bahtirit dhe për të luftuar për pushtet në komunë”, ka thënë avokati Halimi për Insajderin.
Megjithatë, ai ka thënë se gjatë gjithë procesit gjyqësor është komprometuar drejtësia.
“Aty është komprometuar drejtësia deri në pikën e fundit, për shkak se që nga fillimi i procedurës nuk ka pasur asnjë indicie që tregon për keqpërdorim të asnjë centi në ushtrimin e detyrës, gjegjësisht në ata tenderë të cilët kanë qenë aktual para Prokurorisë Speciale”, ka shtuar ai.
“Kjo dihet që është iniciuar nga ana e subjektit tjetër partiak, PDK-së, që e ka çuar një denoncim, dhe prokuroria, ose ka rënë nën ndikim, ose ka rënë pre e mungesës së profesionalizmit për ta bërë dallimin e një ofertë me një ofertë tjetër”, ka shruar ai.
Kontrata për të cilën akuzoheshin Bahtiri dhe dy të tjerët parashihte furnizimin, montimin dhe mirëmbajtën e ndriçimit efiçent në të gjitha rrugët e qytetit të Mitrovicës./Insajderi.com