
Insajderi pak më parë raportoi se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka arrestuar avokatin Venhar Hana, së bashku me të dyshuarin tjetër me inicialet D.I., pasi dyshohet se kanë falsifikuar dokumente dhe i kanë legalizuar ato me qëllim përfitimi personal, duke mashtruar persona të ndryshëm dhe duke shkaktuar dëm material që arrin shifra prej disa milionë eurosh.
Ky arrestim pason nga raportimet e mëhershme të Gazetës Insajderi, që kishte zbuluar një skandal të madh që përfshin një pronë prej mbi tre hektarësh, e cila ka një vlerë të përllogaritur prej së paku 12 milionë euro. Dyshohet se kjo pronë u tjetërsua në mënyrë të paligjshme nga avokati Venhar Hana, i cili dikur ka qenë përfaqësues ligjor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
Si ndodh që prokurori special Dren Paca, të jetë shok i ngushtë me avokatin e arrestuar për dallavere milionëshe?
Dren Paca, aktualisht i transferuar në Prokuror Special nga pozita më e ulët në rangun e prokurorëve- Departamenti i Përgjithshëm në Themelore, nuk ka një CV në faqen e PSRK-së. Insajderi kishte publikuar një profilin e tij, që nga koha kur punoi në Byronë e Sigurimeve e deri te shoqërimi me persona që janë përfshirë ne afera milionëshe.
Gazeta Insajderi në vitin 2024 kishte gjetur një fotografi që dëshmon raport shoqërorë në mes të avokatit Hana dhe Prokurorit Special, Dren Paca.
Fotografia ishte shkrepur mbi dy vite më parë që nga ajo kohë, dhe sipas burimeve të Insajderi, kishte qenë për pak publike, por pastaj u largua nga rrjetet sociale. Fotografia është bërë në Vjenë të Austrisë.
Fotografia: Dren Paca dhe Venhar Hana
Vet avokati Venhar Hana edhe pse ishte pyetur direkt për këtë fotografi, duke ia dërguar një kopje të saj, dhe raportin me Prokurorin Special Paca, dhe nëse ai mund të ndikojë në favor të Hanës në rast hetimesh nga Prokuroria Speciale ku punon Dren Paca, i njëjti nuk i kishte komentuar fare këto pyetje.
Por, për Prokurorin Paca që ishte kontaktuar nga Insajderi pikërisht për fotografinë e njëjët dhe mundësinë që ai ta përdor ndikimin e tij në vendin e punës-Prokurorinë Speciale në favor të mikut të tij, avokatit Venhar Hana, Prokurori Paca kishte pranuar që të flas.
Ai nuk e pati mohuar vazhdimin e miqësisë më Venhar Hanën pasi që kanë punuar dikur bashkë, por thotë që nuk do të bartë përgjegjësi për veprimet e tjerëve.
“Siç jeni të informuar unë kam punuar në Byronë Kosovare të Sigurimit për 5 vite para se të emërohem Prokuror. Sigurisht që kam fotografi me ish kolegët, për veprimet e të cilëve unë nuk mbajë përgjegjësi”, i kishte thënë Insajderit Prokurori Special Paca përmes Zyrës për Informim.
Ai pati mohuar mundësinë e ndikimit në favor të miqve.
“Për dijeninë tuaj unë as nuk mund të ndikojë në punën e kolegëve të mi prokurorë dhe as nuk jam në dijeni për subjektet apo personat që mund t’i kenë në hetime”, kishte thënë ai.
Insajderi nuk i kishte kërkuar pëlqimin e tij, pasi që është person publik dhe paga e tij vije nga buxheti i shtetit, por pasi që Insajderi e ka njoftuar për posedimin e kësaj fotografie, Prokurori Special Paca kishte shtuar se “nuk jap pëlqimin tim që të përdorni dhe publikoni fotot e mia”.
Avokati Hana: Jam intervistuar si dëshmitar
Çka thotë avokati Venhar Hana për raportin e Policisë për transaksione të dyshimta pronash?
Gazeta Insajderi e kishte kontaktuar dhe pritur disa ditë avokatin Venhar Hana, pasi që e ka njoftuar për detajet e raportit të Policisë, si rezultat i raportit të NjIF për transaksionet që konsiderohen të dyshimta me prona.
Insajderi i ka dërguar edhe një kopje të këtij raporti, dhe pas disa ditësh ai ka pranuar që ta komentoi atë, por jo edhe fotografinë me Prokurorin Special, Dren Paca.
“…ju njoftoj se para afër më shumë se 1 viti, me kërkesë të zyrtarit policor…., në një procedurë joformale hetimore të mbledhjes së informacioneve kam dhënë deklaratë në cilësinë e dëshmitarit, dhe atë lidhur me një shpërblim të pranuar në punësimin paraprak, një çështje kontestimore dhe përmbarimore të Byrosë Kosovare të Sigurimit dhe një çështje tjetër të pareferuar në pyetjet tuaja, në të cilën cilësi janë pyetur edhe persona të tretë”, kishte thënë avokati Hana në një përgjigje me shkrim dërguar Gazetës Insajderi.
Ndërkaq, lidhur me zhvillimin e ndonjë hetimi formal nga PSRK apo ndonjë prokurori tjetër, “edhe sot që ju jeni të interesuar me pyetjet tuaja, nuk kam ndonjë informacion të çfarëdollojti nga asnjë person i tretë apo nga personat për të cilët keni hamendësuar”, kishte thënë ai duke mos e përmendur emrin e Prokurorit Special Paca, edhe pse Insajderi e kishte pyetur direkt për të.
Sa i përket raportit të Policisë për transaksionet me prona, ai thotë se “përmbajtjen e të njëjtit e kam lexuar me vëmendje dhe vështirë mund të konstatoj dhe deklaroj se në këtë raport të jetë paraqitur ndonjë veprim i imi inkriminues që konsumon kryerjen e ndonjë vepre penale”.
Venhar Hana te Slavica Mikic deponoi 230 mijë euro për një muaj
Por, cka thuhej tutje në raportin e Policisë që është rezultat edhe i 15 dokumenteve të tjera që Policia thotë se i ka marrë nga Njësia e Inteligjencës Financiare?
Edhe pse avokati Hana kishte thëne se “në cilësinë e përfaqësuesit të autorizuar kam ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, në kuadër të vëllimit të autorizimit si akt noterial dhe kërkesës së palës që përfaqësoj, sikurse në të gjitha rastet tjera ku veproj si avokat”, Policia në raport ë në faqe të parë niset me faktin që firma në pronësi të këtij avokati vetëm për një muaj, korrik 2022, ka deponuar 230 mijë euro të llogaria e personit që e përfaqëson” Slavica Mikic.
Tutje raporti zbulon se një person që ka aktakuzë për dallavere me patentëshoferë, nga llogaria e saj kishte tërhequr njëmbëdhjetë herë nga 9500 euro.
Ky person, në një rast tjetër nga llogaria e Slavica Mikic tërheq 30 mijë euro të tjera me arsyetimin “renovim i shtëpisë në Nish (Republika e Serbisë)”, derisa në tetor 2022 i njëjti nga llogaria e Mikic tërheq edhe 54 mijë euro të tjera.
Prona “P-71914….-“ që ndodhet në Çagllavicë -e paralizuar dhe që përmes autorizimit që mbante Venhar Hana nga Slavica Mikic, më qershor 2022 shitet tek një person që policia nuk e gjeti se ka biznes.
Një person tjetër që po të njëjtën datë del se ka blerë një hise të pronës së njëjtë, në sipërfaqe prej 39201 metra katror, ështe një person që në Agjencinë e Bizneseve del se ka një biznes për shitje pronash.
Çmimi i kësaj sipërfaqe, prej 39201 metra katror, ishte përshkruar në kontratën e noterizuar: 750 mijë euro.
Për çudi, të njëjtën datë, 21 qershor 2022, tek i njëjti noter, e njëjta pjesë e tokës “P-71914….-“- hisja numër “1” dhe me sipërfaqe të njëjtë, 39201 metra katror, i shtetet edhe një personi tjetër. Kësaj here çmimi ishte shumë-fish më i ulët, vetëm për 200 mijë euro.
Në së paku dymbëdhjetë herë në raport, Policia këtyre veprimeve të avokatit Venhar Hana iu referohet si të dyshimta. Në dokument bëhet me dije se për këtë raport Policia ka komunikuar më 8 dhjetor të vitit 2023 me Prokuroren e Shtetit dhe në konsultim me Prokurorinë Speciale dhe NjIF, nga Njësiti i Veçantë i Hetimeve dokumentet dërgohen tek Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit.
Gazeta Insajderi kishte publikuar më parë dy hulumtime ekskluzive, të bazuara në dokumente të siguruara nga institucione të ndryshme. Një ndër këto dokumente, që rrallë herë bëhet publik, ishte një kallëzim penal i dorëzuar nga Kuvendi i Kosovës në Prokurori, lidhur me këtë pronë në Çagllavicë, për të cilën ka dyshime se ka qenë pronë e Radiotelevozionit të Prishtinës (RTP).
Sipas hulumtimeve, prona u privatizua në mënyrë të dyshimtë pas një ndryshimi identiteti në Agjencinë e Regjistrit Civil në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, si dhe me ndihmën e një vendimi gjyqësor të vjetër, që sot nuk gjendet më as në Arkiv. Më pas, prona u regjistrua si pronë private dhe u rishit.
Në këtë aferë dyshohet se rol kyç ka pasur Venhar Hana, avokat i licencuar, i cili për një kohë përfaqësoi Byronë Kosovare të Sigurimeve dhe për këtë shërbim ishte paguar në shuma të konsiderueshme.
/Gazeta Insajderi