Avokati i Naser Pajazitajt, Ahmet Tahiri ka reaguar sërish për lirimin e klientit të tij i cili akuzohej për vrasjen e Donjeta Pajazitajt. Ai i ka reaguar edhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu shkruan Insajderi.
Sipas avokatit ministrja donte “veç një të dënuar në këtë rast”, nuk i interesonin provat.
“Klienti im, Naser Pajazitaj, mbi të gjitha ka qenë viktimë e gjykimit publik. Kryesisht, njerëz jo kompetentë kanë marrë përsipër të flasin pa shqyrtuar asnjë provë, paraqitur asnjë argument. Situata bëhet edhe më serioze kur përfshihen edhe ndërhyrjet politike në Drejtësi. Kur Ministrja e Drejtësisë kërkon me ngulm dënimin e Naser Pajazitajt, duke shkelur çdo të drejtë të tij”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai shtoi se Naser Pajazitaj është njeriu që padrejtësisht u mbajtë në burg për 7 vite.
“Thjesht, e kërkon një të dënuar për këtë rast. Pak ka rëndësi nëse ka ose jo prova! Të gjithë kemi bashkëndjerë me rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt. Vrasësi i vërtetë duhet të gjendet dhe të dënohet me ligjet më të ashpra. Por, jo njeriu që asnjë provë nuk e inkriminon në vrasje. Për më tepër, të gjitha faktet e deritanishme dëshmojnë pafajësinë e tij. Sot, Naser Pajazitaj me vendim të Gjykatës, është njeriu që padrejtësisht i janë marr 7 vite jetë. Dhe, asgjë nuk mund ta kompenzoj vuajtjen e tij dhe të familjes së tij”, shkroi Tahiri përcjell Insajderi.