Ndrec Dodajt, avokati i të pandehurit Kushtrim Kokalla i akuzuar si i përfshirë në vrasjen e Liridona Ademajt, i është shqiptuar gjoba për të dytën herë radhazi për prishje të rendit të seancës fillestare, ku pritet të deklarohet fajësia e Naim Murselit dhe të tjerëve.
Pas tërheqjes së vërejtjes me shkrim si shkak i mos-leximit të të drejtave ndaj klientit të tij, avokatit Ndrecaj i është shqiptuar gjoba prej 500 eurove nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Demaku, shkruan Insajderi.
“Mbrojtësi i të pandehurit Kushtrim Kokalla, përkundër vërejtjeve të kryetarit të trupit gjykues, përkundër kohës së mjaftueshme për t’u konsultuar me të mbrojturin e tij, pasi që, nga data 27 janar 2025, kur është mbajtur seanca e parë e këtij shqyrtimi fillestar dhe është shtyrë për shkak të pretendimeve të mbrojtësit të të akuzuarit Kokalla dhe i njëjti edhe sot, përkundër tërheqjes së vërejtjeve në mënyrë gojore nga kryetarja e trupit gjykues, që mos të pengojë punën e gjykatës dhe t’i bindet urdhrave të trupit gjykues ashtu siç njoftova në paralajmërimin që e dhashë në hyrje të procesverbalit, mora vendimin që të plotësohen kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance. Përkundër faktit se ka pasur kohë të mjaftueshme që të takojë klientin e angazhuar”, deklaroi ndër të tjera gjyqtarja Demaku.
Dodaj ka pretenduar edhe se s’ka funksionuar CD’ja në të cilën janë ngarkuar pamjet si prova materiale për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Këtë ia ka demantuar gjykatësja, nëpërmjet demonstrimit para mediave se pamjet hapeshin.
Sot po mbahet seanca e dytë për shqyrtim fillestar, ku supozohet që të akuzuarit e përfshirë në vrasjen e Liridona Ademajt të deklarohen për fajësinë e tyre. /Insajderi.org/