Avokati i Popullit nis hetimet për vdekjen e të riut në Lipjan për të vlerësuar nëse kishte shkelje të të drejtave të njeriut - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Avokati i Popullit nis hetimet për vdekjen e të riut në Lipjan për të vlerësuar nëse kishte shkelje të të drejtave të njeriut

    Insajderi
    08 July 2025 - 14:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur hetimet lidhur me forcën e ushtruar nga ana e zyrtarëve policorë në dy raste në Klinë dhe Lipjan. Në këtë të fundit, ka humbur jetën qytetari Agon Zejnullahu pas arrestimit.

    “Avokati i Popullit ka hapur procedurë hetimore sipas detyrës zyrtare për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këto raste, si dhe për të monitoruar veprimet e institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës”, njofton IAP.

    I riu në Lipjan vdiq në orët e para të së hënës (7 korrik) pasi u arrestua nga policia nën dyshimin se në gjendje të dehur po sulmonte automjete e kalimtarë. Lidhur me rastin, pesë zyrtarë policorë janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, ndërkaq Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tyre.

    Sipas Avokatit të Popullit, ushtrimi i forcës nga ana e zyrtarëve policorë përtej asaj të domosdoshme, përbën shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Me këtë rast, Avokati i Popullit rikujton se policia ka për detyrë mbrojtjen e qytetarëve dhe ruajtjen e rendit publik, por gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me respekt të plotë për dinjitetin njerëzor. Çdo tejkalim i autorizimeve ligjore dhe çdo formë e dhunës apo keqtrajtimit janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me përgjegjësi të plotë”, thuhet në komunikatë.

    Institucioni i Avokatit të Popullit ka kërkuar transparencë të plotë nga institucionet kompetente lidhur me hetimin e të dyja rasteve.

    Ndryshe, lidhur me rastin në Klinë, Prokuroria Themelore në Pejë më 30 qershor 2025, njoftoi se në koordinim me Inspektoratin Policor të Kosovës, pas grumbullimit të provave dhe analizimit të tyre, kanë arrestuar tre zyrtarë policorë, të cilët dyshohen se gjatë arrestimit të një personi kanë tejkaluar autorizimet e tyre dhe kanë keqtrajtuar fizikisht të njëjtin derisa i njëjti ishte i prangosur.

    Komunikata e plotë:

    “Institucioni i Avokatit të Popullit ka ndjekur me shqetësim rastet e raportuara ku zyrtarë të Policisë së Kosovës dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj qytetarëve në dy raste të ndara – njëri rast i ndodhur në Klinë dhe rasti tjetër së fundmi në Lipjan, ku për pasojë humb jetën një qytetar.

    Ushtrimi i forcës përtej asaj të domosdoshme përbën shkelje të rëndë të të drejtave themelore të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    Me këtë rast, Avokati i Popullit rikujton se policia ka për detyrë mbrojtjen e qytetarëve dhe ruajtjen e rendit publik, por gjithmonë në përputhje me ligjin dhe me respekt të plotë për dinjitetin njerëzor. Çdo tejkalim i autorizimeve ligjore dhe çdo formë e dhunës apo keqtrajtimit janë të papranueshme dhe duhet të trajtohen me përgjegjësi të plotë.

    Avokati i Popullit ka hapur procedurë hetimore sipas detyrës zyrtare për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këto raste, si dhe për të monitoruar veprimet e institucioneve përgjegjëse, përfshirë Policinë e Kosovës dhe Inspektoratin Policor të Kosovës.

    Institucioni i Avokatit të Popullit kërkon transparencë të plotë nga institucionet kompetente lidhur me hetimin e rasteve. Po ashtu është e rëndësishme të theksohet rëndësia e zbatimit të standardeve profesionale në çdo ndërhyrje policore dhe domosdoshmërinë e trajnimeve të vazhdueshme për zyrtarët e rendit.

    Avokati i Popullit do të vazhdojë të ndjekë nga afër zhvillimet rreth këtyre rasteve dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve“.

    Franca dhe Mbretëria e Bashkuar drejt një kapitulli të ri: Macron pritet nga Princi William dhe Catherine në Londër
    Read more


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark