
Pas seancës në Gjykatën Themelore në Ferizaj, avokati Musa Kongjeli, përfaqësues ligjor i të dyshuarit Rilind Murati, ka folur për media rreth akuzave që rëndojnë mbi klientin e tij, duke theksuar se ai mohon çdo përfshirje në rastin për të cilin po hetohet.
Sipas Prokurorisë, Murati dhe persona të tjerë dyshohen për veprën penale të “vrasjes së rëndë” në bashkëkryerje.
Avokati Kongjeli sqaroi se hetimet janë ende në fazën fillestare dhe po vazhdon grumbullimi i provave.
“Prokuroria deri tani, përmes Policisë dhe në bazë të autorizimeve ligjore, është mbështetur kryesisht në prova materiale. Hetimet janë në proces dhe pritet të sigurohen dëshmi të tjera”, deklaroi avokati.
Ai tha se klienti i tij mohon të ketë qenë i përfshirë në këtë ngjarje dhe se akuzat janë të pabazuara.
“Rilindi pretendon se nuk ka qenë i involvuar në asnjë formë. Ai ka një alibi të qartë – nga ora 22:00 deri në ora 03:00 të mëngjesit ka qenë me të fejuarën e tij, me të cilën ka lidhur martesë te hoxha. Kjo është periudha kohore kur dyshohet se është kryer vepra penale”, tha avokati.
Më tej, avokati përmendi se Murati ka dhënë edhe emra të tjerë që mund të hedhin dritë mbi rastin.
“Ai përmend një person tjetër që ishte në shoqëri, një i quajtur Vatan…”, tha ai, pa dhënë detaje të mëtejshme për këtë person.