Avokati i Thaçit e fiton një betejë në Speciale përballë Prokurorisë – Insajderi
×
  • Lajme
  • Ballina 5

    Avokati i Thaçit e fiton një betejë në Speciale përballë Prokurorisë

    Insajderi
    07 June 2023 - 12:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Speciale e Hagës ka humbur betejën përballë avokatit Dastid Pallaska i cili është pjesë e ekipit mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Kreu i Trupit Gjykues, Charles L. Smith ka marrë vendim për të refuzuar kërkesën e Prokurorisë për t’ia tërhequr vëmendjen Pallaskës për deklarimet e bëra në televizionin publik të Kosovës.

    Paneli i gjyqtarëve në pikën 17 të vendimit, ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e Prokurorisë kundër avokatit Pallaska, duke konstatuar se deklaratat e avokatit në RTK nuk përbënin përpjekje për të mashtruar publikun me vetëdije apo për të ndikuar në vendimet e Panelit, nuk ka zbuluar ndonjë informacion konfidencial, dhe konstatojnë se Prokuroria Speciale e Hagës ka dështuar të demonstrojë se “vërejtja” ndaj avokatit është e nevojshme në rrethanat e rastit.

    Paneli i gjyqtarëve ka potencuar kërkesa e Prokurorisë për “vërejtje” do të ishte ndërhyrje në të drejtën e avokatit Pallaska për liri të fjalës.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar para një muaji ka kërkuar nga trupi gjykues në Dhomat e Specializuara që të marrë në konsideratë deklaratat e bëra të Dastid Pallaskës, pjesë e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, përgjatë një paraqitje të tij në RTK.

    Në ankesën që kishte parë Gazeta Insajderi, aty Pallaska paralajmërohet për sanksione nga ZPS-ja, meqë sipas tyre përbën shkelje në Kodin e Sjelljes.

    “Neni 13(a) i Kodit të Sjelljes parashikon që avokati dhe prokurorët nuk do të ‘bëjnë me vetëdije deklarata në mediat sociale, për shtypin ose publikun, të cilat janë të rreme ose shpifëse, ose të zbulojnë informacione konfidenciale, duke përfshirë për personat e përfshirë në procedim”, thuhet në ankesën e Prokurorisë.

    ZPS-ja ka komentuar deklaratat e Pallaskës, i cili në televizion publik tha se 99 për qind e aktakuzës ndaj Thaçit nuk ka të bëjë fare me raportin e ish-senatorit zviceran, Dick Marty.

    “Tri Dhoma të ndryshme kanë mbështetur, në arsyetim të detajuar, lidhjen dhe juridiksionin përkatës. Komenti i z. Pallaska se juridiksioni i Dhomave të Specializuara bazohet në ‘arsyetim jo serioz’ është qartësisht mashtrues dhe nuk përputhet me kërkesat e sinqeritetit”, vijon ZPS-ja.

    Ankesa e Prokurorisë, e vlerëson të gabuar deklaratën e Pallaskës se po gjykohet mbarë UÇK-ja dhe qëllimi është deklarimi i Kosovës si shtet kriminal.

    “Kjo narrativë u hodh poshtë në mënyrë specifike nga Trupi Gjykues, i cili deklaroi se nuk po gjykohet UÇK-ja në këtë rast – vetëm katër të akuzuarit. Prokuroria pohon se përsëritja e pretendimeve të tilla kontribuon në një klimë të hiperpolarizuar brenda Kosovës, duke e bërë më të vështirë dëshmitarët të bashkëpunojnë dhe të japin dëshminë e tyre”, vijon ndër të tjera ankesa. /Insajderi.org/


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark