Avokati Nasuf Hasani ka kanosur Prokurorin disiplinor të Odës së Avokatëve të Kosovës, Rexhep Veselin, përmes emailit.
Një gjë të tillë e ka njoftuar vetë OAK përmes një njoftimi për media, ku thuhet se në email Veseli mori kërcënime serioze nga Hasani, raporton Gazeta Insajderi.
“Prokurori Disiplinor i Odës së Avokatëve të Kosovës, z. Rexhep Veseli, me tu paraqitur sot në punë, ka kuptuar se në e-mailin e tij zyrtar ka arritur një e-mail (në ora 01:14 min pas mesnatës) nga avokat Nasuf Hasani, i cili mban pozitën e Kryetarit të Degës Regjionale në Prishtinë, përmes së cilës është kanosur dhe se kjo e-mail ka përmbajtje kërcënuese serioze. Kanosja ka të bëjë me punën dhe detyrat zyrtare të Zyrës së Prokurorit Disiplinor”, thuhet në njoftim.
“Oda e Avokatëve të Kosovës, dënon ashpër kërcënimet dhe kanosjet e kryetarit të Degës së Prishtinës, në drejtim të Prokurorit Disiplinor dhe se veprime të tilla janë të pa pranueshme e që dëmtojnë prestigjin e avokatit dhe Odës së Avokatëve të Kosovës”, vijon njoftimi.
Rasti është lajmëruar në Policinë e Kosovës nga Zyra e Prokurorit Disiplinor, andaj Oda e Avokatëve të Kosovës, kërkon nga organet kompetente ta trajtojnë rastin dhe të ndërmarrin të gjitha masat konform ligjit.
Gazeta Insajderi gjatë ditës raportoi se komisioni i Ankesave, ia ka ashpërsuar dënimin avokatit Nasuf Hasani, avokat ky i angazhuar nga ministrja Albulena Haxhiu. Nga 500 dënimi tij është bërë në 2500 euro, siç thuhet për të arritur efektin e disiplinimit, pasi që i njëjti sipas këtij vendimi, është recidivist-përsëritës i shkeljeve disiplinore. /Insajderi.org/