Artan Qerkini, avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, tha se Artan Behrami, ish-këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, nuk është i dyshuar dhe se hetuesit e Prokurorisë së Specializuar të Hagës kryen bastisje në shtëpinë e tij në përpjekje për të siguruar prova për rastet që po gjykohen në Speciale.
Qerkini e deklaroi këtë përpara gazetarëve. Siç ka thënë avokati, gjatë bastisjes u konfiskuan “pajisje dhe dokumente që nuk kanë fare relevancë” për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së.
“Edhe bastisja e sotme ishte një përpjekje e dëshpëruar e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për të siguruar kinse prova për procedurat të cilat janë në rrjedhë e sipër në Gjykatën Kushtetuese”, tha Qerkini.
“Cili person do të mbajë në banesën e vetë diçka inkriminuese duke e ditur për këtë gjueti masive të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në shtëpitë dhe pronat e shtetasve të Republikës së Kosovë”, tha Qerkini.
“Besoj se do të marrim hapa konkretë, ligjorë për t’i kundërshtuar këtë veprim i cili bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, paralajmëroi ai.
“Imagjinoni, janë konfiskuar iPad-ët e fëmijve që në dukje të parë shiheshin se shërbejnë për shkollimin dhe lojërat e fëmijve”, deklaroi ndër të tjera avokati.