
Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT) i Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP), i është përgjigjur dje ftesës së bërë publikisht për të vizituar të arrestuarit më datë 30 gusht 2016, në Qendrën e Ndalimit në Prishtinë.
“MKPT ka intervistuar gjashtë të ndaluarit (F.K., A.B., P.A., E.H., A.A., A.D.), si dhe ka shikuar regjistrin e pranimit dhe dosjet e të ndaluarve në Qendrën e Ndalimit, nga ku shihet se nuk ka pasur shkelje procedurale”, bëhet e ditur nga komunikata e Avokatit të Popullit.
Sipas të ndaluarve, arrestimet kanë ndodhur në mëngjes herët, në shtëpitë, respektivisht banesat e tyre.
“Nga të ndaluarit nuk ka pasur ankesa për tejkalim të kompetencave të policisë dhe as nevojë për trajtim mjekësor. Ata kanë pohuar se trajtimi i tyre fizik dhe verbal ka qenë korrekt. Të ndaluarit kanë pohuar se kanë nënshkruar listën e gjërave të sekuestruara gjatë bastisjes”, thuhet më tej në komunikatë.
“Të ndaluarit nuk paraqitën ndonjë vërejtje sa i përket trajtimit në Qendrën e Ndalimit. I ndaluari P.A. ka parashtruar kërkesën për Avokatin e Popullit për të ndjekur edhe më tutje rastin e tyre. Avokati i Popullit do të monitorojë procesin e mëtejmë sa i përket pajtueshmërisë me standardet e gjykimit korrekt, brenda një afati të arsyeshëm kohor”, përfundon komunikata./Insajderi.com