
Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës publikoi sot Raportin lidhur me mungesën e mjeteve juridike efektive, përkatësisht me shkeljen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara lidhur me procedurat e vazhdueshme që janë të detyruar të ndjekin, por pa një vendim meritor dhe pa një shqyrtim të përshtatshëm gjyqësor.
Raporti është i bazuar në rastin Ex-officio nr. 425/2015, duke i përmbledhur të gjitha ankesat e natyrës së njëjtë, të cilat në Raport përshkruhen me rastin me nr. A. 196/16 kundër Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe rastin me nr. A. 230/2016 kundër Departamentit të Administratës Pensionale të Kosovës-Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Avokati i Popullit duke u bazuar në faktet dhe rrethanat e përshkruara në Raport, konsideron se vendimet e komisionit të ankesave si instancë e dytë në të gjitha rastet i vërtetojnë vendimet e komisionit mjekësor në MPMS si instancë e parë dhe u japin këshillë juridike ankuesve të vazhdojnë me procedura gjyqësore në konteste administrative.
Avokati i Popullit konsideron që Gjykatat në asnjërën nga procedurat e tyre nuk lëshohen në zbatim të të drejtës materiale të çështjes. Ky defekt, sipas Avokatit, po vazhdon me tej, sepse në kontestet administrative gjykatat konstatojnë vetëm shkeljet procedurale në vendimet e MPMS. Avokati thotë se kjo shihet si lëshim i gjykatave për të shfrytëzuar mundësinë dhe kompetencën ligjore që vendimet administrative të MPMS të shqyrtohen në meritum të rastit dhe njëherë të riparohen shkeljet duke ndryshuar vendimin administrativ, në pajtim me Ligjin për Konfliktet Administrative.
Avokati i Popullit konstaton se Gjykatat pas vendosjes në raste në afate kohore mbi 2-vjeçare duke e kthyer çështjen te organi administrativ për rivendosje, duke u arsyetuar vetëm në shkelje procedurale kanë bërë që Aktgjykimet të jenë joefikase, pasi që organi administrativ përsëri po nxjerr vendim refuzues për palët dhe rastet sërish po paraqiten në gjykata. Për pasojë, Avokati i Popullit thotë se palët po krijojnë përshtypjen se me vendimin e gjykatës u është njohur e drejta, por shpejt po zhgënjehen me vendimin e gjykatës pas refuzimit të sërishëm nga organi administrativ, pasi që lënda e tyre kthehet në rishqyrtim te organi administrativ dhe kjo krijon përshtypjen e një pasigurie juridike dhe mjete ankimore joefektive.
Avokati i Popullit rekomandon që Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, respektivisht Departamenti i Administratës Pensionale të Kosovës, Këshilli i Ankesave, 1. Në pajtim me kompetencat dhe autorizimet që burojnë nga ligji, t’i trajtojnë kërkesat, dhe ankesat e personave me aftësi të kufizuar mbi bazën e dëshmive të paraqitura për gjendjen shëndetësore dhe posaçërisht vendimet e radhës të jenë në pajtim me pikëpamjen juridike të gjykatës, apo në harmoni me vërejtjet e gjykatës. Po ashtu, aktgjykimet e gjykatës t`i vlerësojnë, për marrjen e vendimit të drejtë për palët dhe t`i evitojnë procedimin automatik të ankesave mbi bazën e refuzimeve të mëhershme.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, 2. Në pajtim me kompetencat dhe autorizimet ligjore të ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme që në padi për konflikt administrativ përveç shkeljeve procedurale të vendoset edhe në çështje meritore të rasteve, pasi në shumë raste të vendimeve për shkelje procedurale palëve po ju refuzohet serish kërkesa nga organi administrativ. 3. Paditë për konflikt administrativ në këto raste të shqyrtohen në afate të arsyeshme kohore dhe pa zvarritje procedurale, pasi që në shumë raste palët po e humbin të drejtën e ri-aplikimit për pension për persona me aftësi të kufizuar të parapare sipas ligjit, 6 muaj, pasi organi administrativ nuk po ju pranon aplikimin pa u vendosur rasti ne gjykatë./Insajderi.com