
Shkuarja në vendin e shenjtë në Mekë që njihet si Haxh është njëra nga pesë shtyllat e Islamit. Cdo vit nga të gjitha vendet e botës myslimaënt shkojnë në haxh, përfshirë edhe qytetarët nga Kosova. Këtë vit nga Kosova shihet se edhe disa politikanë janë nisur për atje.
Ish-kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, është në mesin e besimtarëve myslimanë nga Kosova, që janë nisur drejt Arabisë Saudite për pelegrinazhin e haxhit.
Fotografinë përmes së cilës njofton se Tahiri është nisur tashmë për Arabi e ka publikuar vëlau i tij, Ahmet Tahiri. Anëtari i Kryesisë së LDK-së, është veshur ashtu siç parashihet të duken pelegrinët.
“Haxhi 2022”, shkroi ky i fundit në përshkrimin e fotografisë.
Përveç Tahirit, në haxh ka shkuar edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani.
Ai ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se ka arritur atje.
Grupi i parë i myslimanëve nga KOsova kanë arritur në Mekë, ndërsa grupi i dytë ende jo.
Siç ka njoftuar Bashkësia Islame e Kosovës [BIK] aeroplani që ishte nisur nga Arabia Saudite për t’i marrë besimtarët për në haxh në Kosovë, gjatë fluturimit ka pësuar një defekt teknik që ka pamundësuar udhëtimin.
Sipas BIK, haxhilerët akoma janë në pritje në aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”.
Ata thanë gjithashtu se janë në kontakt të vazhdueshëm me kompaninë e kontraktuar “Jordan Aviation”.
“Drejtoria e Haxhit është në komunikim të vazhdueshëm me kompaninë e kontraktuar “Jordan Aviation” që sa më parë të gjejë zgjidhje për nisjen e besimtarëve drejt destinacionit të tyre”, thuhet në njoftim. /Insajderi.org