
Avokati i njohur në Kosovë, Tomë Gashi, duket se nuk ka lexuar lajmet në ditën kur Kuvendi i Kosovës ka miratuar zgjatjen e mandatit të EULEX-it edhe për dy vite të tjera.
I nxitur nga anulimi i seancave të EULEX-it – mision i cili nuk ka ende mandat për shkak se marrëveshja ndërkombëtare e miratuar në Kuvend nuk ka dalë ende publike në Gazetën Zyrtare – Gashi ka shkruar një postim në llogarinë e tij në Facebok duke thënë se fati i EULEX-it është në duart e deputetëve dhe ajo ashtu siç ka pritur EULEX-it që mandati t’i vazhdohet përmes letërkëmbimit mes Presidentit Hashim Thaçi dhe BE-së.
“Duket se EULEX-i këtë nuk e ka pritur, se kanë qenë të sigurt se mandati do të vazhdohet pa asnjë problem siç është vazhduar që nga viti 2008 vetëm me letërkëmbime që në emër të Kosovës i ka dërguar Presidenti/Presidentja zyrtarëve të lartë të BE-së. Por, matematikat këtë radhë pak sa janë prishur dhe tani është në duart e deputetëve të Kuvendit të Kosovës se a duan që të kemi Mision të tillë në shtetin tonë edhe pas 17-viteve të çlirimit nga okupatori serb,” ka shkruar ai.
“Po ashtu deputetet e Kosovës e kanë në duart e tyre që nëse dëshirojnë vazhdimin e Misionit të Eulex-it atëherë mund ti reduktojnë kompetencat e EULEX-it dhe të dukemi pak sa si shtet normal në sferen e sundimit të ligjit”, ka shtuar ai.
Kuvendi i Kosovës më 17 qershor zgjati misionin e EULEX-it deri në qershor të vitit 2018, ndërsa EULEX-i po ashtu edhe ka treguar se çfarë kompetenca do të ketë këto dy vite.