
Avokatja e Jakup Krasniqit në Hagë, Venkateswari Alagendra, ka folur për rrugën e gjatë dhe të vështirë drejt drejtësisë për klientin e saj, duke potencuar se mbrojtja e Krasniqit ka qëndruar e palëkundur që nga arrestimi i tij, shkruan Insajderi.
Alagendra e përshkroi këtë proces si të mbushur me sfida, duke përmendur kohën e gjatë që ka kaluar që nga arrestimi i Krasniqit, përfshirë fazën paraprake dhe dy vjet të plota të gjykimit.
Avokatja nënvizoi se, që nga fillimi i gjykimit, strategjia ligjore e mbrojtjes ka qenë e bazuar në fakte, ligj dhe integritet.
Ajo shtoi se gjatë gjithë procesit, mbrojtja ka mbështetur dhe vërtetuar qëndrimet e saj, duke qëndruar e palëkundur në besimin për drejtësinë dhe vërtetësinë e pozicioneve të paraqitura në fjalën hyrëse.
“Rruga drejt drejtësisë për z. Jakup Krasniqi ka qenë e gjatë dhe e mbushur me sfida. Duhet pranuar se kanë kaluar pothuajse katër vjet e gjysmë që nga arrestimi i klientit tim, duke përfshirë një fazë paraprake dhe dy vjet të plota që nga fillimi i gjykimit. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Mbrojtja ka qëndruar e palëkundur në përkushtimin e saj për të vërtetën dhe drejtësinë. Që nga fillimi i gjykimit, strategjia jonë ligjore ka qenë e bazuar në fakt, ligj dhe integritet. Gjatë rrjedhës së çështjes së Prokurorisë, ne i kemi mbështetur dhe vërtetuar vazhdimisht qëndrimet e paraqitura në fjalën tonë hyrëse. Këto pozicione mbeten të palëkundura”.
Ajo gjithashtu theksoi se ndërkohë që Prokuroria është afër përfundimit formal të rastit, mbrojtja do të vazhdojë me hapat e nevojshëm proceduralë pa vonesa, për të siguruar që gjykimi përfundimtar të realizohet sa më shpejt të jetë e mundur.
“Ne jemi të përkushtuar që këto hapa të përfundojnë pa vonesa, në mënyrë që aktgjykimi përfundimtar të mund të jepet sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Alagendra për T7, përcjell Insajderi.
Avokatja shprehu besimin e saj të palëkundur se drejtësia do të triumfojë dhe se aktgjykimi përfundimtar do të konfirmojë pafajësinë e Jakup Krasniqit.
“Ne mbetemi të palëkundur në besimin tonë se drejtësia do të triumfojë – dhe se aktgjykimi përfundimtar do të konfirmojë pafajësinë e z. Krasniqi“, u shpreh ajo.