
AVONET shprehet jashtëzakonisht e shqetësuar me veprimet e fundit të ekzekutivit të Komunës së Ferizajt, ku edhe pas dy dështimeve (mungesës së kuorumit), qeverisja komunale, si asnjëherë tjetër, po këmbëngul që të bindë asambleistët të cilët nuk po e përkrahin dhënien në shfrytëzim të objekteve të institucioneve parashkollore – çerdheve, dhe përsëri e ka futur në rend dite këtë pikë tashmë të kontestuar nga shumë palë.
Avonet përmes një komunikate për media ka thënë se qeverisja komunale po tenton ta kontrabandojë këtë pikë duke kontaktuar në vazhdimësi asambleistët për ë votuar.
Reagimi nga Avonet:
Për ne është absolutisht e pakuptimtë se si qeverisja komunale kërkon ta kontrabandojë këtë pikë të rendit të ditës, duke krijuar dyshime të bazuara se pas këtij veprimi fshihet diçka më shumë sesa vetëm mbrojtja e interesit të qytetarëve, siç pretendon pushteti lokal. Për ta bërë realitet këtë pretendim të saj, kemi informacione se qeverisja komunale gjatë periudhës mes dy seancave ka kontaktuar në vazhdimësi asambleistët (sidomos ata të pozitës), të cilët kundërshtimin e tyre e kanë shprehur me mospjesëmarrje në shqyrtimin e kësaj pike.
Arsyetimet publike të zyrtarëve komunalë, respektivisht drejtorit të arsimit në Komunën e Ferizajt, se kjo po bëhet për shkak të pamundësisë për të angazhuar staf profesional e menaxherial për të funksionalizuar objektet e gatshme, janë të paqëndrueshme. Andaj, të njëjtat duhet trajtuar një për një. Dihet mirë që një nga prioritetet e qeverisjes qendrore është pikërisht rritja e numrit të çerdheve, dhe kjo logjikisht do të duhej të nënkuptonte se kërkesat e qeverisjes komunale për rritjen e numrit të çerdheve do të përkrahen pa hezitim nga qeveria qendrore.
Në këtë rast lindin disa pyetje:
Në pikën 4 të këtij propozimi thuhet se komuna merr përsipër të paguajë shpenzimet për ujë, tatim e mbeturina. Ky veprim do të krijonte pabarazi me bizneset e tjera të fushës së njëjtë, sepse automatikisht do të krijonte favorizim të përfituesve të këtyre çerdheve, në raport me çerdhet e tjera private. Një veprim i tillë do të kishte kuptim po të organizohej funksionimi i këtyre çerdheve sipas modelit të partneritetit publiko-privat, por assesi me formën e propozuar kur çerdhet e dhëna në shfrytëzim do të funksionojnë si çerdhe private. Ne konsiderojmë se ky veprim do të bie ndesh edhe me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, për faktin se me marrjen përsipër të pagesave të shpenzimeve të ujit, tatimeve dhe mbeturinave, Komuna do të favorizonte subjektin juridik përfitues dhe do të vështirësonte pozitën e subjekteve të tjera duke shkaktuar shkelje të rënda të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës. Nëse ky propozim kalon, ne do t’i drejtohemi Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës me kërkesë, ku do ta njoftojmë lidhur me këto veprime dhe shkelje, dhe do të kërkojmë nga të njëjtët që të kryejnë një hetim të thellë në lidhje me këtë rast.
Në Ligjin Nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, në nenin 10 të këtij ligji, tek dispozitat specifike për edukimin parashkollor, konkretisht në pikën 5, thuhet se “Komunat mund të ndërmarrin veprime të nevojshme, përfshirë ofrimin e asistencës financiare, për të përkrahur iniciativat private për kujdes dhe edukim të hershëm”. Nëse lexohet dhe interpretohet drejt kjo pikë e ligjit në fjalë, nënkuptohet që komunat mund t’i ndihmojnë edhe me asistencë financiare iniciativat private. Por, kjo nuk nënkupton dhënien në shfrytëzim të objekteve të ndërtuara nga komuna ose ministria. Duket që qeverisja komunale qëllimisht ka anashkaluar këtë ligj, por edhe Ligjin Nr. 03/L-068 për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës, duke mos i përmendur fare në preambulën e dokumentit në fjalë.
Ligjet që rregullojnë arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës përcaktojnë qartë se cilat janë procedurat e licencimit të një institucioni edukativo-arsimor. Në rastin konkret nuk kemi asnjë ide të qeverisjes komunale se si do të veprohet në rastet kur një biznes merr në shfrytëzim objektet publike, por nuk plotëson kriteret e licencimit nga MASHTI, fakt i cili tregon shumë në lidhje me trajtimin joprofesional të këtij propozimi.
Në fund, qeverisja komunale, respektivisht DKA, duhet të deklarohet se:
Shpresojmë, besojmë, por edhe ftojmë që asambleistët ferizajas të jenë në nivelin e detyrës së tyre në ditën e premte, kur edhe do të mbahet seanca e Kuvendit Komunal. Presim nga asambleistët që të mbrojnë interesin e fëmijëve duke i thënë një “JO” të madhe tendencës së dyshimtë të qeverisjes komunale për dhënien në shfrytëzim të objekteve të institucioneve parashkollore – çerdheve.
AVONET propozon që Komuna të menaxhoj me kapacitetet dhe burimet njerëzore, në atë mënyrë që që këto kapacitete të shpërndahen me çerdhet e tjera publike. Ne konsiderojmë se numri i personave të punësuar në çerdhe nga Komuna është i duhur dhe i njejti i plotëson numrat për të funskionuar edhe në çerdhet tjera, vetëm se duhet të shpërndahen në mënyrë proporcionale dhe korrekte.