×
  • Lajme
  • Lajme

    Avonet: Komuna e Prishtinës shkel Ligjin për Prokurim Publik – kërkojmë urgjentisht anulimi e aktivitetit të prokurimit

    Insajderi
    25 November 2024 - 19:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Rrjeti i OJQ-ve AVONET shpreh shqetësimin e thellë në lidhje me inicimin e aktivitetit të prokurimit me titull: “Menaxhimi i mbeturinave”, me numër të prokurimit 616-24-11988-2-1-1, të inicuar nga Komuna e Prishtinës, në vlerë prej 16.5 milionë eurosh.

    Gjatë monitorimit të kësaj procedure të tenderit, AVONET ka identifikuar se Komuna e Prishtinës, në cilësinë e Autoritetit Kontraktues, ka shkelur nenin 9, paragrafi 9.4 të Ligjit për Prokurim Publik, i cili e detyron çdo autoritet kontraktues të verifikojë nëse shërbimi i nevojshëm mund të ofrohet nga një autoritet tjetër publik përpara inicimit të një tenderi.

    Në këtë rast, Komuna e Prishtinës nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për të verifikuar nëse shërbimi i menaxhimit të mbeturinave mund të kryhet nga ndërmarrja publike, e në këtë rast nga KRM “Pastrimi”, e cila deri më tani ka kryer këtë shërbim në menaxhimin e mbeturinave në territorin e Komunës së Prishtinës.

    Mosrespektimi i këtij detyrimi e bën inicimin e aktivitetit të prokurimit të kundërligjshëm. Komuna e Prishtinës duhet të i ofrojë KRM “Pastrimit” mundësinë e deklarimit nëse kanë kapacitet për shërbim të plotë, por jo të zhvilloj procedurë të hapur të aktivitetit të prokurimit, sepse KRM “Pastrimi” është kompani publike, ku Komuna e Prishtinës është pronare e 77.40% të aksioneve.

    Për më tepër, Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportet e saj të fundit, ka evidentuar disa raste të ngjashme të mosrespektimit të dispozitave të Ligjit për Prokurim Publik, e konkretisht të nenit 9, paragrafi 9.4, nga autoritete kontraktuese të ndryshme, duke përfshirë mungesën e koordinimit me autoritetet publike ekzistuese.

    AVONET kërkon që Komuna e Prishtinës të anulojë menjëherë këtë aktivitet të prokurimit, i cili bie ndesh me normat ligjore dhe të përmbushë detyrimet e saj ligjore, duke siguruar që të gjitha procedurat e prokurimit respektojnë standardet e ligjshmërisë dhe transparencës.

    Rrjeti i OJQ-ve AVONET mbetet i përkushtuar për të promovuar transparencën dhe respektimin e ligjit dhe do të vazhdojë të monitorojë dhe raportojë shkeljet në fushën e prokurimit publik, duke përdorur edhe mjetet juridike për të mbrojtur paranë publike. Zyra për Informim Rrjeti i OJQ-ve AVONET

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark