Ish-pjesëtari i FSK-së, Azem Kurtaj është deklaruar i pafajshëm në seancën gjyqësore që është mbajtur sot për rastin e plagosjes së dy të rinjve në Shtërpcë, shkruan Insajderi.
Gjykata ia ka ndërprerë masën e paraburgimit Azem Kurtaj dhe ia ka zëvendësuar me arrest shtëpiak.
Lajmin e konfirmoi për Insajderin, avokati i Kurtajt, Naim Ferati.
“Është mbajtë seanca fillestare, klienti jonë është deklaruar i pafajshëm. Mbrojtja ka propozu ndërprerjen e masës së paraburgimit, gjykata ka vendos që masa e paraburgimit të ndërprehet dhe të zëvendësohet me arrest shtëpiak. Është liru nga paraburgimi dhe është dërgu në arrest shtëpiak“, ka thënë avokati Naim Ferati.
Azem Kurtaj, pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës dyshohet se me 6 janar ka shtënë me armë zjarri drejt dy serbëve në Komunën e Shtërpcës.