Lidhja Demokratike e Kosovës sot ka shprehur shqetësimin e saj për reduktimet me energji elektrike.
Përpara mediave, Visar Azemi i LDK-së deklaroi se mungesa e energjisë elektrike në shumë zona është paaftësi dhe dështim i qeverisë që të ofrojë shërbime kaq thelbësore për qytetarët e Republikës së Kosovës.
“LDK e din që sa kohë dhe që nga fillimi i ka bërë thirrje qeverisë të ndërmarrë masat e nevojshme për t’u përballur me krizën energjetike që e kemi paralajmëruar që sa kohë. Qytetarët e Kosovës janë lodhur nga jetesa në errësirë, duke u përballur e duke duruar ndërprerje të vazhdueshme të energjisë përderisa qeveria po mbyll sytë përballë kësaj krize të thellë”, tha ai.
Sipas tij, në gjendje të rëndë janë edhe bizneset të cilat po përballen me humbje të shumta pikërisht për shkak të këtij problemi.
Azemi shtoi se zgjidhja është LDK-ja, me programin e saj e sidomos ndërtimin e termocentralit me gaz, projekt ky për të cilin janë zotuar të nisin investimet me të marrë qeverisjen.
“Çdo hapësirë tjetër që lejohet nga qeveria, që ka të bëjë me tregti me Serbinë përmes Martinit e Nagipit është një dështim i plotë. Qeveria për 4 vite ka treguar që s’ka vizion e as plan s ai përket problemit të energjisë elektrike. Madje, ka vendosur njerëzit më joprofesional në udhëheqjen e institucioneve të sektorit të energjisë për t’i dështuar ato dhe për të degraduar këtë sektor shumë të rëndësishëm për vendin”, u shpreh ai.
“Partia në pushtet, e cila zgjedh që edhe mërgimtarëve t’iu urojë mirëseardhje në terr, ka hequr dorë nga përgjegjësia për ofruar zgjidhje për krizën energjetike. Madje, secilin vit qeverisës të tyre, qytetarëve i’u është rritë çmimi i energjisë elektrike. Pra, dyfishim i faturave për qytetarët e çmim mbi 100% më i shtrenjtë i energjisë”, ka thënë Azemi.