Qytetarët janë ankuar se në prag të festave të fundvitit po përballen me ndërprerje të energjisë.
Visar Azemi nga LDK ka thënë se ka ndërprerje të energjisë elektrike në çdo cep të Kosovës. Sipas tij “qeveria po i uron mirëseardhje mërgimtarëve duke i lënë në terr”.
“Çfarë ironie e hidhur: mënyra më e mirë që qeveria di t’iu urojë “mirëseardhje” mërgimtarëve, është duke i lënë në terr! Në çdo cep të Kosovës ka ndërprerje të energjisë elektrike.”
Ai ka thënë se kërkesa për energji është rritur ndjeshëm ndërsa prodhimi nuk e mbulon “as për së afërmi” nevojën.
Sipas tij kjo ndikon që të importohet rrymë me “çmime stratosferike”.
“Kërkesa për energji është rritur ndjeshëm, ndërsa prodhimi ynë nuk mbulon as për së afërmi nevojën. Çfarë ndodh pastaj? Detyrohemi të importojmë energji nga jashtë me çmime stratosferike, duke u detyruar ose t’i rrisim tarifat ose të kufizojmë importin. Rezultati? Të dyja skenarët rëndojnë mbi qytetarin!”
Azemi ka thënë se duhet të ndërtohen kapacitete të reja energjetike.
“Për t’i dhënë fund kësaj spiraleje të pafund të krizave energjetike, duhet një zgjidhje e qartë dhe e qëndrueshme: ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike. Centrali me gaz, është zgjidhja që nevojitet urgjentisht. Kur qeveria dështon të sigurojë rrymë për qytetarët e vet, dështimi nuk është vetëm teknik, është politik! Kosova ka nevojë për udhëheqje që di të planifikojë për të ardhmen, jo për të improvizuar për të tashmen!”