Avni Dehari, babai i aktivistit të ndjerë Astrit Dehari, ka thënë se ata që e shtynë djalin e tij të vdiste, dëshiruar që vdekja të jetë e heshtur.
“Ne të gjithë jemi të vetëdijshëm se ata që të bënë që të mos jesh më fizikisht në mesin tonë, deshën ta bëjnë vdekjen të heshtur. Madhështia jote shpërtheu grilat e burgut, u përhap nëpër gjithë Kosovën, në të gjitha viset shqiptare, në të gjithë atdheun tonë të përbashkët, Shqipërinë, dhe i ka bërë të gjithë njerëzit që të ndjejnë pikëllimin e madh për ty”, ka thënë Avni Dehari, gjatë mbledhjes komemorative që po mbahej për djalin e tij Astritin.
Ai pati fjalë shumë emocionuese përderisa i drejtohej të birit gjatë fjalimit të tij.
“Astrit, ti dhe unë, si babë e bir, jemi prapë në këtë sallë, para njerëzve, për dy qëllime: ti je në fotografi që të gjithë këta të pranishëm të çmallen më ty, dhe ta ruajnë kujtimin e freskët për ty; unë jam këtu, në emrin tënd, në emrin tim, në emër të Xhemiles, të Albanes, të Artës, në emër të prindërve të Artës, që t’i falënderoj të gjithë këta njerëz, motar e vëllezër, që kanë ardhur të na ndihmojnë ta përballojmë dhimbjen për rënien tënde”, ka shtuar ai.
Por babai Avniu, e siguroi të birin Astritin se ëndrrat e kamotshme të tij dhe të të gjithë shqiptarëve për vetëvendosje, një ditë do të bëhen realitet.
“Je i bindur Astrit, se drejtësia, liria e plotë dhe vetëvendosja, ëndërr shekullore e popullit tonë janë të gjalla, janë të forta, dhe do të vazhdojnë deri në jetësimin e tyre. Fli i qetë se një ditë të gjitha këto do të bëhen realitet”, ka përfunduar fjalimin Avni Dehari, babai i Astrit Deharit – aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje i cili vdiq të shtunën në Qendrën e Paraburgimit në Prizren./Insajderi.com