Babai i të arrestuarit për fajde, Albert Rexhepit, Zymer Rexhepi i njohur me mbiemrin ‘Malisheva’ ka publikuar fotografinë e viktimës. Në këtë fotografi shihet djali i tij dhe viktima. Përderisa Albert ‘Malisheva’ po vazhdon të mbahet në paraburgim, babai i tij po merr “hak”.
Për korrektësi, Gazeta Insajderi ia ka fshehur emrin dhe fytyrën.
Mbi këtë foto, babai i Albertit ka shkruar “Ky djali jem osht shoku që i ndihmove me vite dhe në fund të dul mashtrus dhe tradhtar…ka pas burra gjithher por jo tradhtar si ky”.
Me 25 qershor, Albert Rexhepi u arrestuar nga Policia e Kosovës për rastin me fajde në Gjilan.
Rexhepi ishte shpallur në kërkim që ditën kur u arrestuan babë e birë, Mefail e Edison Shkodra.
Në raportimet e Gazetës Insajderi, bazuar në dosjen e Prokurorisë e dokumentet e Gjyqit, viktima e këtij rasti pos Edison e Mefail Shkodrën e përfshinë në rast edhe Albert Rexhepin.
Albert Malisheva i kërkuari i tretë për rastin e fajdeve në Gjilan, doli me 26 qershor para Gjykatës.
Fillimisht, atij iu caktuar masa e arrestit shtëpiak, për t’ia ndryshuar pastaj në masë të paraburgimit.
Të dyshuarit i ishte konfiskuar edhe pasaporta.
Se ndodhet në paraburgimin për Insajderin e ka konfirmuar edhe avokati i tij.
Pasi Policia e Kosovës kërkonte kapjen e tij në kuadër të aksionit kundër fajdes në Gjilan.
Albert ‘Malisheva’, kishte komentuar në një faqe në Facebook, duke thënë “Nuk jam në arrati po jam në pushim dhe ju përgjigjna thirrjes së policisë dhe prokurorisë”
Personat e arrestuar dyshohen se kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qëllim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme personat e dyshuar i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600.000 euro.
Gjatë operacionit policor në cilësi të provave materiale janë sekuestruar tri vetura, motorë sportiv, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve.
/GazetaInsajderi
Lexo edhe: