Derisa ditë më parë Taulant Xhaka thoshte se ende nuk ka vendosur nëse në një të ardhme të afërt do të luaj për Kosovën, duket se këtë dilemë e ka zgjidhur babai i tij, Ragipi.
Ragip Xhaka ka thënë fillimisht se është ende herët të flitet për një gjë të tillë, por i pyetur nëse tifozët shqiptarë kanë të drejtë të dinë rreth të ardhmes Taulantit, ai ka treguar se i biri i tij nuk do të luaj për Kosovën.
“Taulanti e ka zgjedhur Shqipërinë dhe do të rrijë me Shqipërinë. Ai nuk do ta tradhtojë kurrë Shqipërinë”, ka thënë ai.
Ai ka folur edhe për duelin e dy djemve të tij në ndeshjen e së shtunës.
“Emocionet janë të dyfishta, edhe si shqiptar, por edhe për Zvicrën. Emocionet ishin të hatashme edhe kur i pashë djemtë në fushë si kundërshtarë”, ka thënë ai.
“Ka qenë emocionuese. Të gjithë e dini që dëshira ime ka qenë që rezultati përfundimtar të ishte 1-1. Por ky rezultat ishte sot (të shtunën). Kënaqësia ime është që dy djemtë i kam në dy kombëtare, jam krenar për të dy. Kjo është e gjitha”, ka shtuar ai në një intervistë për telesport.
Zvicra arriti të fitojë ndeshjen kundër Shqipërisë me rezultat të ngushtë 1 me 0. Shqipëria ka qenë së paku dy herë afër barazimit të rezultatit.
Taulant Xhaka nuk e ka përfunduar deri në fund ndeshjen meqë është zëvendësuar nga trajneri shqiptar De Biazi./Insajderi.com