14 pacientë humbën jetën si pasojë e zjarrit që shpërtheu në spitalin e përkohshëm COVID në Tetovë.
Për të dhënë detaje për këtë tragjedi që shokoi jo vetëm Maqedoninë e Veriut, gazetarja e “Alsat Maqedonia”, Evi Shkopi, në një intervistë për Vizion Plus, me zërin që i dridhej e me lot në sy, ndau dëshmi dhe histori të trishta.
Teksa raportonte pranë spitalit që u përfshi nga flakët mbrëmjen e djeshme, Shkopi tregoi se pacientët dhe personeli mjeksor që mbetën të plagosur, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
“Pacientët e lënduar janë jashtë rrezikut për jetën; megjithatë, kemi dëgjuar histori të tmerrshme nga familjarët që kemi hasur në oborrin e spitalit të Tetovës. Sidoqoftë, nuk mundemi t’i marrim para kamerës deklaratat e tyre, sepse duhet të kemi mirëkuptim për dhimbjen që ata kanë. Janë histori nga më të ndryshme, ishte një vajzë në të njëzetat që hyri për të shpëtuar nënën e saj dhe asnjëra nuk doli nga ai objekt. Kemi të birin dhe babain që ishin shtrirë pranë njëri tjetrit, në një krevat, njëri ishte i paralizuar, kurse djali ishte rreth 28 vjeç, të dy kanë humbur jetën. Një vit më parë kanë humbur dhe nënën e tyre. Nga ajo familje ka mbetur vetëm një anëtar. Të gjithë janë prekur.”
E pyetur për hetimet rreth kësaj ngjarjeje të rëndë dhe pikëpyetjet mbi shkaqet e tragjedisë, gazetarja deklaroi: “Po merren parasysh disa pista. Po nuk mund të hiqet një vijë paralele. Nuk mund të bëjmë ndonjë lidhje përderisa nuk kemi informacion. Në muajin prill, drejtori ekoomik i këtij spitali e ngriti zërin duke thënë se ka parregullsi në mënyrën se si është ndërtuar ky objekt. Sot, drejtori i përgjithshëm nuk na dha një përgjigje konkrete, nëse i ka paraqitur diku ato parregullsi, e ndoshta do të ishte parandaluar kjo parregullsi. Nuk duhet ta aludojmë për shkaqet, megjithatë ka disa pista.”