Baggio, Del Piero, Ronaldo… apo ana tjetër e futbollit - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Baggio, Del Piero, Ronaldo… apo ana tjetër e futbollit

    Insajderi
    12 December 2022 - 11:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkruan: Musli Krasniqi

    Tërheqja nga aktiviteti publik, i çfarëdo fushe qoftë, në momentet e pikës më të lartë të famës e të popullaritetit, konsiderohet premisë për të ruajtur madhështinë edhe në pjesën tjetër të jetës.

    Për natyrën njerëzore, mjaft lakmitare, një pasivizim a tërheqje e tillë nuk është e lehtë. Rrjedhimisht është e rrallë. Prerja e këtij procesi lartësimi bie ndesh me egon njerëzore, ngaqë njerëzit janë të pritur të qëndrojnë sa më gjatë pas famës.

    Ana tjetër ndërkaq, e cila gjithmonë është në kërkim të shërbimeve sa më cilësore dhe të frytshme, nuk është përherë mirëkuptuese dhe solidare për këtë prirje të brendshme. Madje, shumë herë bëhet shkaktari kryesor i një fundi jodinjitoz për protagonistin.

    *

    Historia e sportit është e mbushur me futbollistë të kalibrit botëror, që figurativisht i kualifikon “legjenda“.

    Quditërisht, për shumë prej tyre fundi i karrierës ka qenë dhe vazhdon të jetë jodinjitoz. Sporti, posaqërisht futbolli, është i prirur t’i shfrytëzojë egërsisht për vite e dekada me radhë telentet në pikun e tyre, t’i lartësojë ata, dhe me po të njejtën forcë t’i hedh tutje, në momentin kur ata nuk e kanë më vlerën e mëparshme.

    Kur talenti i Roberto Baggios nuk arriti t’i japë Italisë titullin e kampionit botëror, filloi braktisja graduale e tij dhe vit pas viti ngushtimi i hapësirës në arenën e futbollit, pavarësisht potencës sportive që ai ende posedonte.

    Kur Alessandro Del Piero përbënte zemrën e Italisë dhe sidomos të Juventusit, duke ruajtur besnikërinë ndaj klubit bardhezi edhe në ditët e tij më të vështira, ai ishte pika referente për futbollin italian. Në vitet e fundit të karrierës, nga klubi i tij i jetës u la i lirë dhe këpucët i vari në gozhdë në kampionatin australian.

    Në ditët e sotme, një fat i tillë duket do ta përcjellë edhe Cristiano Ronaldon.

    Karriera sportive e tij është e freskët dhe e njohur për të gjithë dashamirësit e futbollit. Për miliona njerëz ai tashmë është futbollsti më i mirë i të gjitha kohërave.

    Por sot kur ai ka arritur në limite të mundësive për t’i dhënë skuadrës gjithë rendimentin që ajo do, hapësira për të ka filluar të ngushtohet dhe trajtimi ndaj tij po merr tjetër ngjyrë.

    Ky konkluzion doli pikërisht në periudhën kur nuk do të duhej: në ditet më kritike për një skuadër përfaqësuese shtetit, pra në kompeticionin më të madh botëror të futbollit.

    I shtyrë për të qëndruar në lartësinë e famës së tij, për Ronaldon ishte jetike ta përmbyllte me një trofe në këtë nivel gare ciklin e një karriere të frytshme si futbollist aktiv.

    Një triumf për të, padyshim do të ishte triumf edhe për Portugalinë.

    Duket se kjo nuk u kuptua mjaftueshëm nga menaxhmenti i përfaqësueses portugeze dhe ky raport nuk u menaxhua siç duhet. Ndikimi i Ronaldos vazhdon të mbetet i madh dhe pavarësisht egos së tij, maturia e selektorit do të duhej të mbizotëronte.

    *

    U përket shoqërive të cilat nga gjiri i vet nxjerrin talente, jo vetëm të futbollit, t’i ruajnë ato në çdo fazë, edhe kur të ketë shteruar potenciali i tyre për të prodhuar rezultate të kënaqshme. Ngase, duke ruajtur ata, ruhet e lartësohet prestigji i vet kombit.

    Duke pasur parasysh ndikimin në masat e gjera, futbolli ka nevojë për më tepër fisnikëri.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Op-Ed
    16 December 2024
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark