
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjatë takimit me përfaqësuesit e UNHCR-it ka kërkuar që të zgjidhet problemi i 12 mijë shqiptarëve, të dëbuar nga veriu i Mitrovicës të cilët tani jetojnë në pjesën jugore të qytetit.
Duke qenë se nëpër komunat e Kosovës po bëhen përgatitje për hartimin e planeve komunale për të zhvendosurit dhe për zgjidhje të qëndrueshme të çështjes së tyre, zyrtarë komunal të Mitrovicës kanë vërejtur se UNHCR, nuk i kanë të dhënat reale sa i përket shqiptarëve të zhvendosur.
Strategjia, apo Plani Komunal për të Zhvendosurit i mbështetet nga UNHCR-i, i cili është në proces të hartimit për komunën e Mitrovicës, tregon se kanë numërin më të madh të të zhvendosurve, të cilët jetojnë si refugjatë në qytetin e tyre, shkruan “Zëri”.
Shumica prej tyre paguajnë qira, pasi që komuna nuk ka mjete për t’ua siguruar banimin, ndërsa serbët e veriut nuk lejojnë kthimin e tyre në shtëpi dhe banesa të veta./Insajderi.com