Kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri me bashkëpunëtorët e tij, ka vizituar Bashkësinë Islamë të Mitrovicës, për t’ua uruar Festën e Fitër Bajramit, ku u është pritur nga kryeimami Mulla Asllan Murati dhe drejtues tjerë të BI-së.
Bahtiri ka kërkuar nga Bashkësia Islame e Mitrovicës rindërtimin e xhamisë në vendin ku ka qenë, e që tani nuk është pasi që është rrafshuar me tokë nga ekstremistët serbë, në cepin verior të urës kryesore mbi lumin Ibër.
Ndërsa kryeimami i Bashkësisë Islame të Mitrovicës Mulla Asllan Murati, tha se pavarësisht se kjo xhami ka ekzistuar me shekuj nuk po lejohet që ajo të rindërtohet.
“Ne mbështetëm këtë kërkesë dhe rreth 500 besimtarë e kanë falur namazin në rrugë, para ndërtesës së administratës. Gjithçka ka kaluar mirë dhe pa asnjë incident”, tha kryemami Murati.
Kryetari Bahtiri dhe kryemami Murati, u dakorduan që nga tash të intensifikojnë aktivitetet e përbashkëta për lejimin e rindërtimit të xhamisë së Ibrit.
Për herë të parë pas luftës së fundit, në mënyrë të organizuar, namazi i Fitër Bajramit është falur edhe në veri të qytetit, përkatësisht në “Lagjen e Boshnjakëve”. /Insajderi