
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka folur në emër të qytetarëve të Mitrovicës. Ka thënë se e kanë kuptuar gabimin që e kanë votuar Bedri Hamzën për kryetar komune.
Në këto zgjedhje, Bahtiri në Tëvë1 u deklarua se do t’i ndihmojë Faton Pecit.
“Sigurisht që po, asnjë dilemë. Zoti Peci do të fitojë në rundin e parë pa ballotazh me 60% dhe unë do ta ndihmoj që ta fitojë këtë mandat”, tha Bahtiri.
Ai shtoi se ka arsye për ta përkrahur kandidatin e LVV-së, duke përmendur se qytetarët e Mitrovicës kanë reflektuar për zgjedhjet e kaluara.
“Qytetarët e kanë parë që kanë gabuar një herë kur nuk më votuan mua, edhe më kanë kërkuar shumë herë. Unë nuk kam kandiduar, por do ta ndihmoj z. Peci”, theksoi ai.
Duke folur për garën politike, Bahtiri u shpreh se opozita nuk do të ketë më hapësirë në Mitrovicën e Jugut.
“Do të shihni fitoren bindëse në Mitrovicë dhe ju nuk do ta shihni PDK-në më kurrë në këtë qytet”, deklaroi Bahtiri.