Punëtores së kompanisë së pastrimit “Double I&I”, S.F i është ndërruar vendi i punës pasi Drejtori i Termocentralit Kosova B (TCB), Jakup Pllana ka kërkuar nga kompania e kontraktuar për pastrim ta largoj nga objekti. “Baje Bothën” dëgjohet duke i thënë Pllana punëtores në fjalë, në incizimin që ka siguruar Insajderi. Krejt kjo ka ndodhur për shkak se punëtorja ka denoncuar tek Gazeta Insajderi disa padrejtësi që ajo dyshon se kanë ndodhur në një konkurs në Korporatën Energjetike të Kosovës.
Gazeta Insajderi
Drejtori i Termocentralit Kosova B, Jakup Pallana ka kërkuar nga kompania e kontraktuar për mirëmbajtjen e objektit të KEK’ut, “Double I&I Sh.p.K.” që të largoj nga puna, punonjësen me inicialet S.F (emër i njohur për redaksinë). Pllana ka urdhëruar kompaninë që ta largojnë nga objekti punëtoren në fjalë.
Madje ai ka përdorur edhe fjalë fyese ndaj saj. Në një incizim që posedon Gazeta, Pllana dëgjohet duke i thënë punëtores “S’po du me të pa në objekt. Baje B*thën”.
Këto fjalë ofenduese drejtori dëgjohet duke ia thënë pasi punëtorja i kërkon një sqarim se përse ka kërkuar ta largoj nja puna.
“Unë jam familjare, nuk jam rrugaqe. Jam nënë e fëmijeve e gru e burrit. Veç një arsye po du me ditë për cka me më largu nga puna”, shprehet punëtorja në incizim.
“Ti e din mirë” ia kthen drejtori.
“Ajo çka e kom bo rreth punëtores së juaj, është e drejtë e imja ligjore”, ia kthen punëtorja.
“ooo s’po du me kon në objekt, hajt baje b*thën. Pikë. Unë i mbroj punëtorët e mi“, degjohet Pllana.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar drejtorin, Jakup Pallan, i cili ka pranuar që ka kërkuar nga kompania t’ia ndroj vendin e punës punëtores në fjal, por jo ta largoj nga puna.
“Nuk është ajo hiç hiç. S’kam tentu me largu nga puna. po me ja ndru vendin“, tha shkurt ai duke e mbyllur telefonin.
Kërkesën e largimit nga puna e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi edhe kompania e pastrimit “Double I&I Sh.p.K.”.
Ata kanë thënë se pas disa mosmarrëveshjeve që ka pasur punëtorja e tyre me zyrtarë të KEK’ut, iu është kërkuar nga drejtori që të largoj nga objekti i Termocentrali Kosova B.
“Drejtori ka kërkua që mos me nejt qaty ku ka pas problem me punëtorët. Ka thënë derogone një vend tjetër mos e leni këtu se ka shantazhu punëtorët. Ja kena ofru mundësin me u largu prej aty pasi kjo ka pasur probleme” kanë thënë nga kjo kompani për Gazetën Insajderi.
Punëtorja denoncon tek Insajderi se kishte konflikt interesi në konkursin e KEK’ut
Drejtori i Termocentralit Kosova B, Jakup Pallana ka kërkuar largimin e saj nga puna pasi që S.F ka denoncuar tek Gazeta Insajderi dyshime për dallavere në konkursin për “Teknik i elektroenergjetikes në KEK”.
Punëtorja në fjalë e cila punon që 14 vite në këtë kompani, ka thënë për Insajderin se fillimisht ajo kishte aplikuar në konkursin që ishte hapur në KEK. Më pas ajo nuk ishte pranuar, dhe kishte bërë ankesë.
S.F kishte pretenduar se në një konkurs për pozitën “Teknik i elektroenergjetikes në KEK kishte konflikt interesi.
Ajo pretendon se anëtarja e komisionit Emine Gllareva ka pranuar vajzën e vëllait të saj, Ardita Preniqi si dhe kushëririn e vet Shefki Gllareva.
Kështu shkruan edhe në ankesën që S.F e ka dorëzuar tek Divizioni i Burimeve njerëzore.
Gazetea Insajderi javë më parë ka kontraktuar Emine Gllarevës si dhe dy konkurrentët që janë pranuar por nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërsa lidhur më këto pretendime, zyrtari për media, Skender Bucolli nuk ka dhënë ndonjë përgjigje konkrete.
“Ndërsa sa i përket pretendimeve të kandidates rreth këtij procesi, Korporata Energjetike e Kosovës në vazhdimësi ka inkurajuar dhe inkurajon secilin person që ka ndonjë informatë të bazuar (me dëshmi) t’i deponojë ato në organet relevante të drejtësisë” thuhet në përgjigjen e KEK’ut./Insajderi.org/