
Avokati Ardian Bajraktari, në emisionin “Tempus” në KTV, vlerësoi se është e papranueshme që pozita e Kryeprokurorit të Shtetit të mbetet për një kohë kaq të gjatë e udhëhequr nga një ushtrues detyre.
“Tash e sa kohë kemi ushtrues detyre si Kryeprokuror i Shtetit, dhe një pozitë kaq e rëndësishme me mbet kaq gjatë me ushtrues detyre është e papranueshme. Kjo është përgjegjësi e Këshillit Prokurorial dhe gjithashtu përgjegjësi e Presidentit”, tha Bajraktari.
Ai tha se pret që nga viti i ardhshëm të ketë reflektim nga ana e KPK-së për të kryer detyrat e saj kushtetuese, dhe që efektet e reformës të fillojnë të ndihen gradualisht.
“Në bindjen time, kjo është një nismë jashtëzakonisht e mirë dhe mund të presim me shpresë një sistem dhe Këshill me më shumë integritet, por rezultatet e plota mund të llogariten nga viti 2026 e tutje”, theksoi Bajraktari.