Bajram Gecaj, zv/ministër i pushtetit lokal, ka publikuar në Facebook një elozhe ndaj shefit të tij, kryeministrit Isa Mustafa. E ka publikuar herët në mëngjes, disa minuta pa filluar orari i punës. E ka titulluar “Kryeministër, mos i vë veshin zërave kundërshtarë” dhe e ka shoqëruar me një foto ku shihet duke e ndjekur nga pas liderin.
Ka shënuar se po shtohen zërat destruktiv që nuk ia duan të mirën liderit të tij. Megjithatë, sipas tij lideri nuk duhet të brengoset sepse zërat destruktiv qëllimisht po i servojnë trillime ndjellakeqe. Madje, sipas tij servimi i tyre po bëhet me një kujdes djallëzor me qëllim shkatërrimin e LDK-së.
“Duket se udhëheqja e qeverisë, për të parën herë nga një akademik, është shndërruar çuditshëm “halë në sy” të të gjithë atyre të cilët i frikohen suksesit dhe rrjedhimisht rritjes së partisë më të vjetër shtetformuese në Republikën e Kosovës. Duket se, ashtu si shumë herë më parë, edhe këtë herë, kundërshtarët e zjarrtë të partisë së liderit historik, Dr. Ibrahim Rugovës, janë ringjallur në elementin e tyre më destruktiv të mundshëm të dëmtimit të interesit shtetëror e nacional, për hir të interesave të tyre të ulëta klanore, parciale e individuale”,ka shënuar Gecaj.
Në këtë postim të tij, Gecaj i ka etiketuar shumicën e anëtarëve të kabinetit të kryeministrit Mustafa. Gecaj, po ashtu, ka shënuar se pse kryeministri nuk duhet të merakoset nga zërat destruktiv.
“Kryeministër, përkundër të gjithave mos u merakos me zërat kundërshtarë, sepse LDK ka qenë gjithherë e rrethuar nga zilia dhe ziliçarët, por gjithmonë ka ditur të përballet dhe ti mposhtë ata., sepse LDK ka qenë gjithherë e rrethuar nga zilia dhe ziliçarët, por gjithmonë ka ditur të përballet dhe ti mposhtë ata”, ka shënuar Gecaj.
Krejt në fund, e ka uruar liderin për organizimin e Këshillit Qendror dhe i ka uruar suksese në organizmin e Kuvendit të Punës.
“Urime dhe përgëzime për organizimin në mënyrën më demokratike të mundshme të “Këshillit Qendror”. Gjithashtu suksese në organizimin e “Kuvendit të Punës” së 28 majit, i cili, ashtu si edhe shumë të tjerë më parë, me siguri se do të sjell, inovacione dhe unifikim të strukturave dhe rrjedhimisht edhe të anëtarësisë së gjerë të partisë”, ka shënuar zv/ministri Gecaj. (Insajderi)