Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj rënies së Kosovës në indeksin e lirive ekonomike, sipas raportit të fundit të “Heritage Foundation”, të publikuar më 17 korrik.
Raporti tregon se Kosova ka arritur vetëm 60.6 pikë në këtë indeks, në krahasim me 67.4 pikë që kishte në vitin 2020.
Bajrami ka konsideruar këtë rënie si një “tjetër regres i Kurtit”, duke e lidhur atë me dështimet e qeverisjes aktuale.
Ajo ka theksuar se faktorë të tillë si korrupsioni endemik, mungesa e reformave fiskale dhe strukturore, kapja dhe politizimi i institucioneve rregullatore, dhe përpjekjet për ndërhyrje në ekonomi përmes ligjeve të kontestuara antikushtetuese kanë pasur ndikim negativ në liritë ekonomike.
Në raportin e “Heritage Foundation” për liritë ekonomike, theksohet se: “Pavarësisht normave pozitive të rritjes, ekonomia e Kosovës përballet me paqëndrueshmëri politike, korrupsion, furnizim të pasigurt me energji, një ekonomi të madhe informale dhe një sundim të dobët të ligjit. Kosova ka zbatuar disa reforma miqësore për biznesin, por korniza e përgjithshme rregullatore mbetet e rëndë. Aktiviteti i tregut informal është i konsiderueshëm, tregu formal i punës nuk është zhvilluar plotësisht, dhe stabiliteti monetar është dobësuar, me inflacionin që ka arritur më shumë se 7 përqind.”
Bajrami ka nënvizuar se këto të dhëna pasqyrojnë dështimet e qeverisjes aktuale në krijimin e kushteve të qëndrueshme për rritjen ekonomike dhe përmirësimin e standardeve të jetesës për qytetarët e Kosovës.