Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti lidhur me doracakët për “edukatën seksuale”, për të cilat ai në një video tha se janë miratuar në vitin 2020 kur Bajrami udhëhiqte me Ministrinë e Arsimit.
Përmes një video, Bajrami i ka thënë Kurtit të cilit i është referuar si “Albin inxhinieri” se autorësinë e doracakëve e ka marrë ministrja Arbërie Nagavci dhe se i ka prezantuar si arritje të ministrisë.
“Sa ju përket doracakëve për “edukatën seksuale” nuk ka asnjë dokument dhe asnjë postim me emrin tim, POR ministrja e Albinit Arbërie Nagavci tashmë me zë e me figurë ka marrë autorësinë e këtyre dokumenteve dhe i ka shitë si arritje të ministrisë”, thotë ajo, duke nxjerrë edhe një video ku Nagavci flet në Kuvend për këta doracakë.
“Kurrikulat tona të cilat i kemi miratuar kanë të bëjnë me edukimin dhe mirë edukimin e të gjitha vajzave dhe djemve”.
Bajrami ka thënë se dokumenti në të cilin thirret Kurti është një listë distribuimi, për të cilin thotë se as nuk ka qenë në dijeni dhe se aty as nuk figuron emri i saj e as nënshkrimi.
Ky dokument, Bajrami thotë se ka qenë kërkesë, por jo vendim, derisa u ka kërkuar Qeverisë që të publikojnë dokumentin për miratimin e këtyre doracakëve.
Bajrami thotë se nëse ajo konsiderohet përgjegjëse për një dokument që nuk është në emrin e saj apo të kabinetit, atëherë po aq përgjegjës është edhe Kurti.