Bajrami për Muratin: Mos dezinformo, bllokuesit e Kuvendit jeni ju – keni shkatërruar vendin - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Bajrami për Muratin: Mos dezinformo, bllokuesit e Kuvendit jeni ju – keni shkatërruar vendin

    Insajderi
    23 June 2025 - 10:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili paralajmëroi se Kosova rrezikon të humbasë 90 milionë euro nga Banka Botërore nëse Kuvendi nuk konstituohet deri në shtator.

    Në një reagim publik, Bajrami e akuzoi Muratin për dezinformim dhe e cilësoi Lëvizjen Vetëvendosje si përgjegjëse të drejtpërdrejtë për bllokadën institucionale.

    “Hekuran, mos dezinformo! Ju jeni bllokuesit. Me 48 deputetë e keni ngujuar veten dhe vendin politikisht rreth një kandidateje për kryetare Kuvendi, për të cilën nuk i keni votat. Mos provo me hedhë përgjegjësinë te të tjerët për krizën që vetë e keni krijuar dhe po e zgjatni”, ka shkruar Bajrami.

    Ajo shtoi se Murati ka dështuar si ministër për të siguruar votat për ratifikimin e marrëveshjes me Bankën Botërore dhe e akuzoi për mungesë menaxhimi të fondeve ndërkombëtare, përfshirë grantet nga Bashkimi Evropian.

    “Pse nuk flet për qindra miliona euro grante nga BE-ja që vendi nuk mund t’i shfrytëzojë prej dy vitesh, për shkak të masave ndëshkuese që kanë ardhur si pasojë e qeverisjes suaj arrogante dhe destruktive?”, shtoi ajo.

    Deputetja e LDK-së përmendi edhe humbjen e një granti rreth 70 milionë euro për investime në KEK, të cilat sipas saj janë bllokuar për shkak të sanksioneve të BE-së ndaj Kosovës, duke e cilësuar këtë si dëshmi të dështimit qeveritar në çdo nivel.

    “E keni shkatërruar këtë vend, dhe përsëri keni fytyrë të dilni publikisht me broçkulla, duke u përpjekur të shmangni përgjegjësinë për dështimet tuaja të përditshme për me tepër se katër vjet”, ka thënë Bajrami./Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    27 September 2025
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark