
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pas thirrjes së Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), e cila u bëri thirrje konsumatorëve që të lidhin marrëveshje për furnizim me energji elektrike me furnizuesit e licensuar komercial.
Përmes një reagimi në Facebook, Bajrami e ka cilësuar si skandaloze këtë thirrje të ZRrE-së.
“Zyra e Rregullatorit për Energji, si një ndër akterët kryesorë që bart mbi supe përgjegjësinë për gjithçka që po ndodh në sektorin e energjisë në vend, sot paska dalë me një thirrje skandaloze,” ka shkruar ajo.
Deputetja tutje theksoi se nga 1 qershori, importi i energjisë elektrike është rritur tetë herë. Ajo gjithashtu ka përmendur vendimet e fundit të Gjykatës Komerciale që, sipas saj, kanë qenë në favor të dhjetëra bizneseve që kanë ankuar.
“Edhe një gjë: paskeni thënë se Gjykata ju ka dhënë të drejtë, por s’po dihet ku dhe kur, sepse në muajin e fundit ne jemi dëshmitarë të dhjetëra vendimeve të Gjykatës Komerciale, të cilat janë në favor të bizneseve, jo në favor tuajin”, ka shtuar Bajrami.
Kujtojmë se ZRrE ka njoftuar se Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), si Furnizues i Mundësisë së Fundit, do të vazhdojë të furnizojë bizneset për një periudhë 60-ditore, e cila përfundon më 30 korrik 2025.
ZRrE u ka bërë thirrje bizneseve që të lidhin marrëveshje me furnizuesit komercial të licensuar, duke paralajmëruar se mosveprimi brenda afatit të paraparë do të rezultojë me ndërprerje automatike të furnizimit me energji elektrike pas datës 30.07.2025.