Ëndrra e Bekim Balajt është që të luajë kundër idhullit të tij, sulmuesit të Suedisë, Zlatan Ibrahimoviç.
Gjatë konferencës për shtyp nga grumbullimi i kombëtares në Austri, sulmuesi i përfaqësueses shqiptare tregoi se shpreson te kalimi i turit dhe përballja e mundshme me futbollistin suedez.
“Ai vazhdon të jetë idhulli im. I kam parë ndeshjet e tij me Suedinë, ato që ka luajtur kundër Shqipërisë. Një mik i imi, i cili ka qenë pjesë e kombëtares, Debatik Curri, më ka treguar për potencën e tij. Unë shpresoj në një përballje me Suedinë ne Evropian, por na duhet më parë të kalojmë grupin, ndaj kemi shumë punë për të bërë”, theksoi sulmuesi i përfaqësueses, shkruan Panorama-sport.
Balaj nisi eliminatoret e Euro 2016 si titullar dhe me një gol të shkëlqyer ndaj Portugalisë, por pastaj humbi vendin në formacion.
Megjithatë, sulmuesi mendon se më e rëndësishmja për këtë ekip është fryma e grupit se suksesi apo arritjet personale, aq më tepër në një skuadër ku “rivalët” janë miq të tij. /Insajderi.com