Pushteti i Bali Muharremajt ka shpërblyer me kontratë në vlerë prej 1.3 milionë eurove kompaninë e ish-kryetarit të Suharekës nga radhët e AAK’së, Blerim Kuçi. Kompania “Hidroterm sh.p.k”, pronë e Kuçit u përzgjedh për ndërtimin e sheshit të qytetit. Blerim Kuçi ishte edhe minister i Ekonomisë dhe Ambientit në qeverinë Hoti, deputet i kuvendit dhe nënkryetar i AAK’së.
Gazeta Insajderi
Kontrata për vazhdimin e ndërtimit të sheshit ‘Brigada 123‘ në Suharekë iu dha kompanisë “Hidroterm sh.pk.“, pronë e Blerim Kuçit. Vlera totale e kësaj kontrate është 1 milion e 388 mijë e 907 euro.
Kjo kontratë ka hyrë në fuqi që nga data e nënshkrimit me 13 nëntor 2023 dhe afati i implementimit është 160 ditë.
Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, aktualisht pronarë të kompanisë figurojnë dy fëmijët e Blerim Kuçit, Genc Kuçi dhe Blertë Kuçi.
Komuna e Suharekës ia kishte dhënë tenderin kësaj kompanie edhe në vitin 2019 për “Rregullimin e rrugës brigada 123 Qendër-Suharekë –Sheshi” në vlerë prej 1 milion e 740 mijë euro.
Kompania “Hidroterm sh.p.k” nuk kishte dorëzuar ofertën më të lirë për këtë tender. Kishin qenë edhe dy oferta më të lira. Por, që ofertat më të lira komuna i kishte eliminuar nga gara.
Në maj të 2020’ës, kësaj kompanie iu dha edhe një tender tjetër për punë shtesë në vlerë 79,943 euro për “Rregullimin e rrugës brigada 123 Qendër-Suharekë –Sheshi- Punë shtesë”.
Kush është Blerim Kuçi?
Blerim Kuçi ishte pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ai udhëhoqi me Komunën e Suharekës nga viti 2009 deri në zgjedhjet lokale të vitit 2013.
Ai në vitin 2017 u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës dhe po ashtu ishte nënkryetar i AAK-së.
Kuçi ishte edhe sekretar organizativ i kësaj partie.
Me 5 qershor 2020, Blerim Kuçi kishte pranuar detyrën e ministrit të Ekonomisë dhe Ambientit. Kuçi në këtë pozitë kishte ardhur pas formimit të Qeverisë Hoti, ku pjesë e koalicionit qeverisës ishte Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ai dha dorëheqja nga pozita e ministrit me 13 janar 2021.
Ndërsa, në vitin 2022, Kuçi kishte dhënë dorëheqje nga të gjitha strukturat e AAK’së.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar zyrtarët e komunës së Suharekës dhe pronarët e kompanisë “Hidroterm sh.p.k”, por, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e artikullit. /GazetaInsajderi