
Debati profesional mes ekspertëve që janë ‘për’ dhe ‘kundër’ marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi do të përballen sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Takimi i 3 gushtit është parë si mundësi e mirë për t’u qartësuar gjërat rreth kësaj çështjeje, për të cilat shpesh është polemizuar në distancë mes pozitës dhe opozitës, të cilat, në forma të ndryshme, e kanë përdorur për ‘fushata politike’.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ditë më parë ka folur pikërisht për këtë takim, duke thënë se, nëse ekspertët dhe opozita që janë kundër marrëveshjes aktuale të demarkacionit, nuk ofrojnë fakte të mjaftueshme, atëherë do të duhej të heqin dorë nga kauza e tyre.
Mustafa qysh nga fillimi ka qenë i bindur se Republika e Kosovës nuk humbë asnjë centimetër tokë me këtë marrëveshje, duke insistuar edhe në ratifikimin e saj, përderisa opozita, por edhe disa ekspertë të fushës janë të bindur se Kosova humb territor.
Ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi, është kushti i fundit që Kosova duhet ta plotësojë para se ta marrë liberalizimin e vizave për qytetarët e vet.
Vlen të theksohet se edhe autoritetet shtetërore të Malit të Zi konsiderojnë se demarkacioni me Kosovën është në rregull, por janë shprehur të gatshëm të diskutojnë për këtë çështje.
Diskutimi i sotëm mes të dyja palëve do të duhej të hapte rrugë ‘për’ ose ‘kundër’ ratifikimit të demarkacionit.
Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje, pavarësisht rezultatit të sotëm nga diskutimi, është e vendosur që ta pengojë ratifikimin e saj, përderisa dy partitë tjera – AAK dhe Nisma, janë shprehur më konstruktive në këtë drejtim.
Diskutimi nisë nga ora 10:00, në sallën N-409 në objektin e Kuvendit të Kosovës./Insajderi.com