Adel Taarabt ka zbuluar disa histori interesante ku përfshihen Leita Kaka dhe Mario Balotelli.
Marokeni i ishte bashkuar “kuqezinjve” si huazim nga QPR në janar të vitit 2014, por klubi italian nuk e bëri të përhershëm transferimin e tij, shkruan Gazeta Express.
Ai luajti nën drejtimin e Clarence Seedorfit për gjashtë muaj, por kur Pippo Inzaghi mori drejtimin e skuadrës në verën e vitit 2014, mesfushori u kthye në QPR.
Në një intervistë të dhënë së fundmi për “La Gazzetta dello Sport”, Taarabt zbuloi edhe disa histori gjatë kohës së tij te Milani, ku përfshihen emrat si Kaka e Balotelli.
“Një herë, ai mbërriti në Milanello me Ferrari duke vozitur me shpejtësi të madhe, me rottweiler-in e tij brenda makinës. Ai po shkonte aq shpejt sa qeni ishte i trullosur, dukej si një mace. Doktori i shpjegoi se të ecësh kaq shpejt nuk ishte aspak mirë për një qen. Mund të them edhe shumë gjëra të tjera. Një herë, para një ndeshjeje kundër Chievos, ai i tha Pazzinit të fillonte sepse nuk ishte në disponim për të luajtur. Sigurisht që Balo shënoi pas vetëm pak minutash. Ai ishte i mirë, por krejtësisht i çmendur”, zbuloi 34-vjeçari.
Ndërsa, sa i përket Kakas, Taarabt tha: “Mbaj mend një luftë të paparë. E di që tingëllon e çuditshme sepse Kaka është ‘djaloshi perfekt’, por kjo ndodhi. Kjo ndodhi gjatë një seance stërvitore. Unë ia kalova topin Balotellit dhe jo atij, dhe ai u tërbua. Mendova ‘dreqin, ai është Kaka’. Unë u befasova sepse ai nuk mund të ndalonte së bërtitur, kështu që i vendosa duart rreth qafës së tij në një moment. Edhe nëse je Kaka, do të inatosem po të më bërtasësh. Të nesërmen më kërkoi falje dhe më nxori për drekë. Në atë moment në ekip kishte grupe të ndryshme. Disa nuk donin ta ndihmonin Seedorfin, të tjerët donin. Unë isha në mes”.
Adel Taarabt nga shtatori i vitit 2022 është pjesë e skuadrës nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Al-Nasr.