Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon në raportin e fundit për Kosovën ka vlerësuar situatën në Kosovë si shqetësuese, duke lënë fajtore opozitën
Ai ka vlerësuar lartë gatishmërinë e Kosovës dhe Serbisë për vazhdimin e takimeve në nivel të lartë si pjesë e dialogut të prirë nga Bashkimi Evropian, shkruajnë mediat serbe, raporton Insajderi
Raporti i përgatitur nga sekretari i OKB-së, përfshin periudhën kohore prej 16 tetorit të vitit të kaluar deri në 15 janar të këtij viti, ndërkaq për të do të diskutohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Në raport thuhet se kjo periudhë ka shënuar pengim të vazhdueshëm të funksionimit të kuvendit të Kosovës nga ana e deputetëve të opozitës, të cilët kanë protestuar për marrëveshjet e arritura në gusht të vitit 2015, të arritura si pjesë e dialogut të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
“Përdorimi i vazhdueshëm i dhunës dhe retorikës nxitëse nga opozita duhet të jetë një fakt shumë shqetësues. Aksione të tilla janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe mund të kenë vetëm ndikime negative për Kosovën. Ftoj të gjitha palët që të dyfishojnë përpjekjet duke pasur parasysh interesin e të gjithë atyre që jetojnë në Kosovë”
Ai ka vlerësuar lartë angazhimin e Kosovës dhe Serbisë që kanë për vazhdimin e takimeve në nivele të larta si pjesë e dialogut të prirë nga Bashkimi Evropian në një të ardhme sa më të shpejtë./Insajderi