Banka Botërore ka bërë të ditur se ka miratuar një kredi prej 15.3 milionë dollarë për Kosovën, e cila është projektuar për të ulur kostot për kompanitë në marrjen e çertifikatave të njohura ndërkombëtarisht dhe testimin e produkteve.
Kredia do të përmirësojë konkurrencën e firmave duke mbështetur certifikimin e produktit për tregjet e eksportit, duke forcuar kapacitetin e firmave të orientuara nga eksporti dhe duke ulur koston e inspektimeve të biznesit, ka bërë të ditur Banka Botërore në faqen e saj zyrtare në internet.
“Këto firma, duke përfshirë edhe 1.500 eksportues, do të përfitojnë nga kosto më të ulëta për këto shërbime, ndërsa 150 firma shtesë do të marrin grande të përputhshme për t’i ndihmuar ata në marrjen e certifikatave dhe standardeve të produkteve, si dhe shfrytëzimin e shërbimeve të zhvillimit të biznesit”, thuhet në deklaratë, raporton Insajderi.
Projekti duhet të zbatohet brenda pesë viteve të ardhshme nga ministria e tregtisë dhe industrisë së Kosovës.
Huaja ofrohet nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim, fondi i Bankës Botërore për vendet me nevoja më të mëdha zhvillimore. Ajo ka një maturim prej 25 vjetësh, duke përfshirë një periudhë pesëvjeçare.
Vlera e eksporteve të Kosovës është rreth një e dhjeta e vlerës së importeve të vendit dhe më e ulëta midis vendeve në Evropën Juglindore. Banka Botërore vuri në dukje se vetëm 5% e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të Kosovës aktualisht janë duke eksportuar.
“Duke pasur parasysh tregun e tij të vogël të brendshëm, rritja e konkurrencës së eksportit është thelbësore për rritjen dhe krijimin e vendeve të punës në Kosovë”, tha Marco Mantovanelli, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën. /Insajderi.com